Abdixhiku pas rezultateve: Kosova foli me demokraci, fitorja jonë është përgjegjësi e madhe
Foto: Laura Hasani

Abdixhiku pas rezultateve: Kosova foli me demokraci, fitorja jonë është përgjegjësi e madhe

Aktuale November 10, 2025 - 13:04

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke e cilësuar rezultatin si fitore të qartësisë, shpresës dhe demokracisë në vend.

Në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Abdixhiku tha se qytetarët e Kosovës folën me votë dhe me besim në të ardhmen.

Image

 

“Dje, Kosova foli. Foli me votë, me besim dhe me qartësi. Foli në emër të shpresës, të qetësisë dhe të punës. Foli përtej zhurmës, përtej fyerjes, përtej përçarjes. Dhe mesazhi i saj ishte i pastër: Kosova jeton me demokraci. Kjo është vlera më e madhe e jona si popull!”, u shpreh Abdixhiku.

Ai u shpreh se LDK-ja ka arritur një fitore të rëndësishme në shtatë komuna, duke përfshirë edhe Prishtinën, të cilën e quajti garën më të rëndësishme në vend.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, shtëpia e madhe e qytetarisë, dje ka fituar. Ka fituar në 7 komuna, përfshirë dhe garën pakrahasueshëm më kryesoren në vend, atë që e synojnë të gjithë, Kryeqytetin. Jemi parti e parë në Prishtinë pas 12 viteve; e fitorja dy herë radhazi këtu është shenjë”, shkroi Abdixhiku.

Sipas tij, ky rezultat është dëshmi e një force që “qëndron, rritet e forcohet” dhe e një partie që fiton me ndershmëri e përkushtim.

Image

“LDK-ja ka fituar me ndershmëri, me përkushtim dhe me njerëzit më të mirë që ka ky vend. Kemi fituar me qytetari, me ide, me punë, me përkushtim. Pa aparat shtetëror, pa interesa klanore, duke refuzuar çdo influencë nga jashtë për ndarje tonën, dhe me plot bindje në veten, qytetarët tanë e qytetet tona. Dhe kjo është forca jonë e vërtetë”, tha Abdixhiku.

I pari i LDK-së shprehu mirënjohje për të gjithë aktivistët dhe kandidatët e partisë, duke i cilësuar si shtylla e fitores.

 

“Sot dua t’ju drejtohem me mirënjohje të thellë secilit aktivist të LDK-së, secilës vajzë e djalë, burrë e grua, secilës familje që për javë të tëra la çdo gjë mënjanë për t’u bërë pjesë e këtij rrugëtimi. Ju që ecët derë më derë, lagje më lagje, qytet më qytet. Ju që e mbajtët flamurin tonë me dinjitet. Ju jeni shtylla e fitores sonë”, theksoi tutje Abdixhiku.

Ai tha se demokracia është për të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve politike, dhe se fituesit e këtyre zgjedhjeve do të jenë kryetarë për të gjithë.

“Demokracia është për të gjithë, dhe Kosova është për të gjithë. Në këtë Republikë, asnjë qytetar nuk duhet të ndjehet humbës. Sepse zgjedhjet ndajnë vetëm për një ditë; pas saj, na bashkon përgjegjësia për të ndërtuar bashkë vendin tonë”, tha Abdihxiku.

Në fund, Abdixhiku theksoi se fitorja e LDK-së është përgjegjësi për punë dhe përulësi, duke bërë thirrje për rezultate konkrete në shërbim të qytetarëve.

Image

Reagimi i plotë i Abdixhikut, pa ndërhyrje:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Të dashur aktivistë, miq e bashkëpunëtorë,

Kosova foli. Foli me votë, me besim dhe me qartësi. Foli në emër të shpresës, të qetësisë dhe të punës. Foli përtej zhurmës, përtej fyerjes, përtej përçarjes.

Dhe mesazhi i saj ishte i pastër: Kosova jeton me demokraci. Kjo është vlera më e madhe e jona si popull!

Lidhja Demokratike e Kosovës, shtëpia e madhe e qytetarisë, dje ka fituar. Ka fituar në 7 komuna, përfshirë dhe garën pakrahasueshëm më kryesoren në vend, atë që e synojnë të gjithë, Kryeqytetin. Jemi parti e parë në Prishtinë pas 12 viteve; e fitorja dy herë radhazi këtu është shenjë.

Pas rezultatit të fundit nacional, ky rezultat i djeshëm është sinjal i një force që qëndron, rritet e forcohet. Fitoret e komunat nuk na qëndrojnë të garantuara; ato fitohen apo humben nga fillimi në secilën garë. Prandaj faliminderit secilit kandidat e secilës ekipë për fitoret në Pejë, Viti, Junik, Dragash, Lipjan e Istog e Prishtinë, dhe për këtë rezultat që do ta lakmonim gjithnjë.

Dhe përtej urimeve më të mira për fituesit, dua të shprehë mirënjohjen më të thellë ndaj gjithë atyre që nuk ja dolën këtë herë. Xhafë, Arbër, Besnik e Ardian, na keni bërë krenar secilit me mundin e angazhimin e jashtëzakonshëm. Keni punuar fort, keni punuar mbarë, keni punuar me dinjitet në një garë të vështirë e të pabarabartë - kokën lart, LDK-ja ndihet krenare që ju ka! Betejat vazhdojnë.

LDK-ja ka fituar me ndershmëri, me përkushtim dhe me njerëzit më të mirë që ka ky vend. Kemi fituar me qytetari, me ide, me punë, me përkushtim.

Pa aparat shtetëror, pa interesa klanore, duke refuzuar çdo influencë nga jashtë për ndarje tonën, dhe me plot bindje në veten, qytetarët tanë e qytetet tona.

Dhe kjo është forca jonë e vërtetë.

Ne mund edhe të fitojmë vet, edhe të bashkojmë të tjerë rreth nesh; dhe kjo është vlerë.

Për këtë, jemi krenarë të gjithë.

Për këtë mburremi të gjithë.

Sot dua t’u drejtohem me mirënjohje të thellë secilit aktivist të LDK-së, secilës vajzë e djalë, burrë e grua, secilës familje që për javë të tëra la çdo gjë mënjanë për t’u bërë pjesë e këtij rrugëtimi. Ju që ecët derë më derë, lagje më lagje, qytet më qytet. Ju që e mbajtët flamurin tonë me dinjitet. Ju jeni shtylla e fitores sonë. Prandaj, ju them se fitorja e sontme është fitore e juaja. Është shpërblim i punës suaj, i përkushtimit dhe i besimit tuaj. Shijojeni e mburruni me këtë moment.

Por sot dua t’u flas edhe atyre që nuk na votuan.

Demokracia është për të gjithë, dhe Kosova është për të gjithë. Në këtë Republikë, asnjë qytetar nuk duhet të ndjehet humbës. Sepse zgjedhjet ndajnë vetëm për një ditë; pas saj, na bashkon përgjegjësia për të ndërtuar bashkë vendin tonë.

Ne nuk fitojmë për të ndarë. Fitojmë për të bashkuar. LDK nuk njeh qytetarë të ndarë në ngjyra e flamuj partiakë. Ne njohim vetëm qytetarë të Republikës së Kosovës; të barabartë në dinjitet, në mundësi dhe në ëndërr.

Në çdo komunë ku kemi fituar, ne do të jemi qeverisje për të gjithë. Sepse për ne, pushteti është përgjegjësi, jo privilegj. Është detyrë për të dëgjuar edhe ata që mendojnë ndryshe, për të ndërtuar bashkë, për të ecur përpara bashkë edhe me ata që nuk pajtohen me ne.

Deri sot, fituesit tanë ishin kandidatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga sot, ata janë kryetarë të të gjithë qytetarëve të komunave të tyre.

Kështu e kuptojmë ne politikën.

Kështu e kuptojmë ne demokracinë

Në këtë frymë, fitorja jonë është një përgjegjësi e madhe. Është thirrje për punë, për përulësi dhe për dinjitet. Sepse qytetarët nuk kanë nevojë për heroizma, kanë nevojë për rezultate. Nuk kanë nevojë për armiq, por për partnerë. Nuk kanë nevojë për fjalë të mëdha, por për vepra të ndershme.

Dje, Kosova ka bërë një hap përpara drejt normalitetit. Drejt një qeverisjeje që punon, që dëgjon, që respekton. Drejt një vendi ku fjalët “shtet” dhe “dinjitet” kanë kuptim të përbashkët. Ky është misioni ynë. Dhe këtë mision do ta çojmë përpara me përkushtim e me dashuri për këtë vend.

Ju faleminderit të gjithëve për besimin, për përkushtimin dhe për durimin tuaj. Urime Republikës së Kosovës — për një natë shprese, për një fillim të mbarë!