Nagavci: Mungon vullneti i LDK-së dhe PDK-së në Kuvend

Nagavci: Mungon vullneti i LDK-së dhe PDK-së në Kuvend

Aktuale November 11, 2025 - 23:14

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka komentuar situatën aktuale lidhur me projektligjin për buxhetin dhe situatën financiare në RTK-në, duke theksuar se mungesa e vullnetit politik po pengon përparimin e tyre në Kuvend.

“Sikurse edhe herën e kaluar, gjithçka që është në mandatin tonë dhe në dorën tonë do të mundohemi që ta bëjmë. Në këtë fazë ka qenë e rëndësishme edhe buxheti për RTK-në edhe projektligji për buxhetin, dhe për ne ka qenë e pakuptimtë dhe e papritur, që nuk do të ecim tutje me miratimin e buxhetit”, tha Nagavci.

Ajo kujtoi kohën kur u rrëzua Qeveria Kurti 1 dhe u drejtua nga kryeministri Hoti.

“Edhe pse ai u shpall kryeministër antikushtetues me vendim të Gjykatës Kushtetuese, qeveria Hoti kishte sjellë buxhetin dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndonëse ishte rrëzuar qeveria jonë legjitime, votuan ligjin e buxhetit në interes të vendit. Kjo ndodhi edhe pse deputetët e LDK-së, PDK-së, AAK-së dhe të tjerët kishin rrëzuar qeverinë Kurti gjatë pandemisë”, shtoi ajo.

Nagavci theksoi se qeveria në detyrë ka miratuar projektligjet dhe i ka dërguar në Kuvend sipas procedurës ligjore.

“Kuvendi tashmë është i konstituuar, deputetët janë betuar dhe kryesia është zgjedhur. LDK dhe PDK i kanë deleguar përfaqësuesit e tyre në kryesi, por nuk ka vullnet nga ana e tyre që kryesia e Kuvendit të funksionojë,” tha ajo.

Deputetja përfundoi duke nënvizuar se mungesa e vullnetit politik nga partitë opozitare po pengon përparimin e projektligjeve që konsiderohen të rëndësishme për vendin.

“Krejt çka mungon është vullneti i LDK-së dhe PDK-së për të shtyrë përpara këto projektligje të rëndësishme,” përfundoi Nagavci.