Problemi i pazgjidhur i “turbullirave” në Ibër Lepenc lë pa ujë Fushë-Kosovën, Obiliqin, Drenasin dhe disa pjesë të Prishtinës
Disa komuna janë duke u përballur me mungesë të ujit të pijshëm si pasojë e një problemi që s’po i gjendet zgjidhja.
Për të disatën herë Fushë-Kosova, Obiliqi, Drenasi dhe disa pjesë të Prishtinës janë duke mbetur pa ujë, ndërsa KRU “Prishtina” ka njoftuar se kjo është për shkak të turbullirës së krijuar në kanalin e Ibër Lepencit, e ku sipas tyre po kryhen punime teknike, transmeton Zeri.info.
“Për shkak të turbullirës së krijuar në kanalin e Ibër Lepencit (si shkak i punimeve teknike në kanal) nga mesnata po kemi problem në ITU Shkabaj. Si shkak i kësaj turbullire është çrregulluar furnizimi me ujë në disa pjesë të Fushë-Kosovës, Obiliqit, Drenasit dhe mund të ketë ndikim edhe në disa pjesë të Prishtinës”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se aktualisht ITU Shkabaj nuk është duke trajtuar ujë, ndërsa në ITU Albanik dhe Badoc jemi duke punuar me kapacitete maksimale. /Zëri