INPO-ja gjen parregullsi në tenderin 2.7 milionësh të Policisë
Foto: Laura Hasani

INPO-ja gjen parregullsi në tenderin 2.7 milionësh të Policisë

Aktuale November 14, 2025 - 12:36

Organizata INPO ka monitoruar procedurën e tenderimit për kontratën “Shërbime me ushqim (furnizim, përgatitje dhe servim) për nevojat e Policisë së Kosovës”, me vlerë të parashikuar 2.7 milionë euro dhe ka identifikuar një varg shkeljesh ligjore serioze dhe manovrimesh teknike që dëmtojnë konkurrencën, barazinë dhe integritetin e prokurimit publik.

Në një komunikatë nga organizata, thuhet se gjatë gjithë procesit INPO-ja ka zhvilluar komunikim të drejtpërdrejtë me Policinë e Kosovës, duke e informuar me prova dhe argumente konkrete për shkeljet në dosjen e tenderit.

“Në kopje të këtij komunikimi ka qenë edhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit. Pavarësisht këtij komunikimi profesional dhe institucional, Policia e Kosovës i ka mohuar të gjitha gjetjet, nuk ka pranuar asnjë problematikë dhe nuk ka shprehur asnjë gatishmëri për korrigjim apo rishikim të procedurës”.

“Kjo qasje përbën refuzim të hapur për të adresuar gabimet dhe për të garantuar një proces të drejtë, transparent dhe ligjor”.

“Ndërkohë, gjatë monitorimit, një operator ekonomik ka deponuar ankesë në OSHP për dy çështje, afatin e tenderimit dhe kriteret e kapaciteteve teknike e financiare. INPO, në respekt të pavarësisë së OSHP-së, ka vendosur të mos publikojë gjetjet e saj derisa lënda të shqyrtohej, për të mos ndikuar në vendimmarrje apo për të mos krijuar pritshmëri publike”, thuhet në komunikatë.

Megjithatë, sipas INPO-s, vendimi Nr. 2025-0984 i OSHP-së ka konfirmuar se Policia e Kosovës ka vepruar në kundërshtim me ligjin, duke anuluar njoftimin për kontratë dhe duke i kërkuar Policisë së Kosovës korrigjimin e procedurës dhe zgjatjen e afatit të tenderimit.

“Ky vendim e vërteton se së paku një pjesë e gjetjeve të INPO-s kanë qenë plotësisht të bazuara dhe të drejta, të cilat Policia e Kosovës i kishte mohuar në tërësi”

“Përkundër kësaj, pas vendimit të OSHP-së, Policia e Kosovës ka bërë vetëm disa korrigjime minimale dhe formale, me ç’rast ka ulur kërkesat për kapacitet teknik e financiar dhe ka zgjatur afatin e tenderimit por asnjë nga gjetjet e tjera të ngritura nga INPO nuk janë adresuar. Dosja e tenderit mbetet e pandryshuar në pjesët më problematike dhe thelbësore, duke përfshirë:

· Keqklasifikimin e kontratës si “shërbime”, edhe pse mbi 70% e objektit janë furnizime ushqimore;

· Peshimin e pikëve që krijon mundësi reale për manipulim me çmime dhe favorizim teknik;

· Zhvendosjen artificiale të artikujve midis grupeve, që ndryshon peshat dhe vlerat financiare;

· Intervalet e gjera në specifikimet teknike që lejojnë produkte me cilësi të ulët;

· Uljen dramatike të vlerës së kontratës pa arsyetim të qartë dhe profesional”, thuhet në komunikatë.

Këto elemente, sipas tyre, e bëjnë tenderin të pambrojtur, të pasigurt dhe të paorientuar drejt cilësisë, duke e ekspozuar Policinë e Kosovës ndaj rrezikut të furnizimeve të dobëta dhe buxhetin e shtetit ndaj kostove të fryra.

“Duke qenë se OSHP-ja tashmë ka vërtetuar shkelje ligjore, refuzimi i Policisë së Kosovës për të pranuar ose adresuar gjetjet e INPO-s është i pajustifikueshëm dhe bie ndesh me standardet e përgjegjësisë institucionale”.

“Kësisoj, INPO-ja vlerëson se tenderi aktual nuk është në përputhje me Ligjin për Prokurim Publik dhe kërkon rishikimin e plotë të dosjes, jo vetëm korrigjime sipërfaqësore të disa kritereve”

“Vetëm një rishikim i thellë, profesional dhe i paanshëm mund të garantojë konkurrencë të ndershme, parandalim të manipulimeve dhe përdorim korrekt të parasë publike”

“Në këtë drejtim, INPO-ja u bën thirrje institucioneve mbikëqyrëse, si Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) dhe Prokurorit të Shtetit, që të ushtrojnë mandatin e tyre ligjor dhe të mbikëqyrin me kujdes këtë proces, duke ndërmarrë masat e nevojshme në bazë të autorizimeve të tyre”, thotë INPO-ja.

Në fund, INPO-ja thotë se shkeljet e evidentuara nuk janë vetëm çështje administrative por ato prekin thelbin e integritetit të prokurimit publik, garantimin e konkurrencës, përdorimin e parasë publike dhe sigurinë ushqimore për një nga institucionet më të rëndësishme të vendit.

INPO-ja pret që organet mbikëqyrëse dhe ato të zbatimit të ligjit të mos qëndrojnë indiferente dhe të veprojnë në përputhje me përgjegjësitë e tyre. /Zëri