Clarku dëshmitar i fundit i mbrojtjes së Thaçit, ish-komandanti i NATO-s nis sot dëshminë e tij në Hagë

Clarku dëshmitar i fundit i mbrojtjes së Thaçit, ish-komandanti i NATO-s nis sot dëshminë e tij në Hagë

Aktuale November 17, 2025 - 07:55

Ish-komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropën, Wesley Clark, pritet sot të nisë dëshminë në gjykatën e Hagës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës është caktuar që Wesley Clark të fillojë dëshminë të hënën, më 17 nëntor.

Ish-komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropën ishte planifikuar të fillonte dëshminë të martën e javës që vjen, më 18 nëntor, por Specialja njoftoi se do të rezervojë një ditë shtesë, siç u kërkua.

"Pasi u informua se kjo dëshmi mund të fillojë vetëm më 18 nëntor pasdite, dhe pas shqyrtimit të kohës së nevojshme të vlerësuar nga palët, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Mbrojtjes për të rezervuar një ditë shtesë për seancë, më 21 nëntor, për të përmbyllur dëshminë. Trupi Gjykues deklaroi se kjo ditë shtesë ishte rezervuar për të përmbyllur në mënyrë të shpejtë dhe të efektshme paraqitjen e argumenteve nga Mbrojtja, por megjithatë i kërkoi palëve që të përpiqen ta përmbyllin dëshminë më herët nëse është e mundshme", njoftoi Specialja.

Gjenerali Wesley Clark është dëshmitari i fundit në këtë proces gjyqësor.

Procesi i paraqitjes së provave nga mbrojtja ka filluar më 15 shtator, me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Më pas ka dëshmuar Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje.

Më 22 shtator dëshmoi edhe John Stewart Duncan, ish-këshilltar politik i gjeneralit Clark në NATO, i cili e përmbylli dëshminë një ditë më vonë. Ndërkaq, më 30 shtator ka filluar dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë Bernard Kouchner, i cili ka mbyllur paraqitjen më 2 tetor.

Dëshmitarët e fundit në rastin e Thaçit dhe të tjerëve kanë qenë Michael Durkee, këshilltar politik i komandantëve supremë të forcave aleate të NATO-s në Evropë, dhe ish-diplomati amerikan Christopher Hill.

Pas përfundimit të dëshmisë së Clarkut, gjykimi kalon në fazën përfundimtare të paraqitjes së mbylljeve nga të dyja palët, përpara se trupi gjykues të shpallë vendimin.