Shqipëria hap grupkapitullin e fundit të negociatave në Bruksel

Shqipëria hap grupkapitullin e fundit të negociatave në Bruksel

Aktuale November 17, 2025 - 08:13

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot në Bruksel do të marr pjesë në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, gjatë së cilës do të hapet grupkapitulli i fundit i negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Sot, më 17 nëntor, çelet zyrtarisht Grupkapitulli V, i cili përfshin pesë fusha të rëndësishme:

* Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural

* Politikat e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë

* Peshkimin

* Politikat Rajonale dhe Koordinimin e Instrumenteve Strukturore

* Dispozitat Financiare dhe Buxhetore

Ky grupkapitull synon modernizimin e sektorit bujqësor, digjitalizimin e zinxhirit ushqimor, forcimin e sigurisë ushqimore, menaxhimin e qëndrueshëm të peshkimit, si dhe përgatitjen për një pjesëmarrje më efikase në politikat e zhvillimit rajonal, në përputhje me standardet financiare të Bashkimit Evropian.

Pas përfundimit të punimeve, kryeministri Edi Rama do të dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisioneren për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Marie Bjerre.