Murati: U alokuan 2.7 milionë euro për transportin publik, Komuna t’i shlyejë borxhet
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se tashmë janë alokuar 2.7 milionë euro në kategorinë mallra dhe shërbime, mjete të destinuara për pagesën e operatorëve të transportit publik, sipas vendimit të Kuvendit të Prishtinës për të hyrat vetanake. Ai tha se kjo shumë është proceduar veçmas nga 25.9 milionë euro të projekteve kapitale, në mënyrë që të përfundojë me prioritet gjatë ditës së sotme.
Murati sqaroi se vendimi i Komunës së Prishtinës, i marrë të enjten mbrëma, ka kaluar me procedurë të përshpejtuar procesin e verifikimit të ligjshmërisë nga MAPL-ja dhe MFPT-ja, duke theksuar se ky verifikim nuk ka qenë i mundur më herët për shkak të ditëve jopunë. Ai tha se Departamenti i Buxhetit ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me zyrtarët financiarë të Komunës dhe se kjo e fundit ka qenë e informuar për ecurinë e alokimit. Ministri e quajti “të pavërtetë dhe për keqardhje” deklarimin e Komunës se Ministria po bllokon mjetet, duke i kërkuar asaj që të shlyejë të gjitha borxhet ndaj operatorëve të transportit publik dhe t’i japë fund, siç tha ai, “farsës së bllokadës së pretenduar”.