Kurti nis fushatën në Oslo dhe kritikon PDK-në, reagon Çitaku: Mos na e bajë dertin neve
Foto: Laura Hasani

Kurti nis fushatën në Oslo dhe kritikon PDK-në, reagon Çitaku: Mos na e bajë dertin neve

Aktuale December 02, 2025 - 20:37

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur fushatën e tij për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, ndonëse zyrtarisht sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) fushata do të fillojë më 17 dhjetor.

Kurti ishte në një takim me mërgimtarët në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, ku kritikoi situatën politike në vend dhe, veçanërisht, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ai theksoi se PDK-ja ende dominon në administratën publike, në media dhe në sistemin e drejtësisë, duke vlerësuar se ndryshimi i kryetarit të partisë nuk është një reformë reale.

“Në PDK duhet të ndodhë reforma, me thënë të drejtën nuk ka ndodh reforma, aty po ndodh ndërrimi i fytyrës së kryetarit, por gjithmonë kryetar është dikush që s’është kryetar”, tha Kurti.

Reagimi i PDK-së erdhi nga sekretarja e partisë, Vlora Çitaku.

Ajo tha se kryeministri duhet të fokusohet te ekonomia, integrimi në BE dhe NATO, dhe jo te PDK-ja.

“Mos na e bajë dertin neve, Albin. Ne kryetar e kemi Bedri Hamzën. Shihemi më 28 dhjetor”, tha ajo.

KQZ ka përcaktuar se fushata zgjedhore për këto zgjedhje do të zgjasë vetëm 12 ditë, duke filluar më 17 dhjetor /telegrafi