Prebreza prezanton nënkryetarin dhe drejtuesit e parë të kabinetit në Komunën e Fushë-Kosovës
Kryetari i ri i Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, ka nisur formimin e kabinetit të tij drejtues, duke emëruar një sërë zyrtarësh në pozita kyçe të administratës komunale.
Në mesin e emërimeve të para, Prebreza ka prezantuar Shpend Bardiqin si nënkryetar të Komunës. Bardiqi, i njohur si aktivist i hershëm dhe ish-kryetar i Qendrës së Fushë-Kosovës, ka qenë edhe asamblist aktiv dhe një prej kontribuuesve kryesorë në fitoren e subjektit të tij në zgjedhje. Kryetari e uroi atë për detyrën e re, duke theksuar sfidat dhe proceset që presin komunën në ditët në vijim.
Ndërkohë, Ylber Kelmendi ka njoftuar se është emëruar Drejtor për Rini, Kulturë dhe Sport.
Ai e ka cilësuar këtë pozitë si privilegj dhe përgjegjësi, duke premtuar angazhim të plotë për zhvillimin e projekteve në mbështetje të të rinjve, kulturës dhe sportit në komunë.
Pozita tjetër kyçe është ajo e Drejtorisë së Investimeve Kapitale, të cilën tashmë do ta udhëheqë Arianit Tërmkolli. Ai shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë nga kryetari Prebreza, duke theksuar se do të punojë me profesionalizëm dhe transparencë në shërbim të qytetarëve.
Në drejtim të rendit dhe zbatimit të ligjit, Durim Hajra është emëruar drejtor i Inspektoratit, shkruan Telegrafi. Hajra theksoi se kjo pozitë nuk është privilegj, por përgjegjësi e madhe ndaj qytetarëve dhe institucioneve. Ai u zotua për zero tolerancë ndaj shkeljeve, inspektim profesional dhe funksionim transparent të inspektoratit.
Ndër emërimet e rëndësishme është edhe ai i Resul Makreshit, i cili është caktuar drejtor në një nga drejtoritë e komunës. Makreshi vlerësoi se ky hap paraqet një moment të rëndësishëm për përfaqësimin e komuniteteve, duke potencuar se për herë të parë shihet vullneti politik për t’u dhënë atyre hapësirën dhe rolin që e meritojnë në qeverisjen lokale.
Me këto emërime, kryetari Valon Prebreza po konsolidon strukturën e re udhëheqëse të Fushë Kosovës, duke synuar një administratë më funksionale, përfaqësuese dhe të orientuar drejt zhvillimit.