Rama pas betimit: Unë do të jem këtu 24/7 me qytetarët - pa ngjyra politike, pa inate e pa barriera
Sot në seancën inauguruese të Asamblesë së Kryeqytetit, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, mori mandatin e dytë, duke falënderuar qytetarët për besimin dhe duke rikujtuar se përgjegjësia e institucioneve është e përbashkët.
Kryetari Rama theksoi vendosmërinë për të përfunduar projektet kapitale, për të vazhduar investimet në arsim, shëndetësi dhe zhvillim rural, si dhe për të përkrahur idetë inovative të rinisë.
“Prishtina FOLI! Ky besim është përgjegjësi dhe motiv. Ne do të punojmë me përkushtim të palëkundur për qytetin tonë”, u shpreh ai.
Duke iu referuar katër viteve të fundit, Kryetari theksoi se bllokadat politike kanë dëmtuar qytetarët, por u bëri thirrje të gjithë asambleistëve për bashkëpunim:
“Secili jemi të votuar me i shërby qytetarëve, jo partive. Uroj që në këtë mandat të mos krijojmë bllokada artificiale, por të punojmë për të ardhmen tonë”.
Ai ritheksoi rëndësinë e punës dhe llogaridhënies së drejtorëve dhe të gjithë administratës:
“Qytetarët nuk na kanë zgjedhur për t’i ushqyer egot tona, por për të punuar për ta. Unë do të jem këtu 24/7 – pa ngjyra politike, pa inate e pa barriera”.
Duke paraqitur vizionin “Prishtina përtej”, Rama njoftoi se një ndër projektet kyçe të mandatit do të jetë organizimi i lojërave olimpike “Prishtina 2030”.
“Kjo është mundësi historike për qytetin dhe për Kosovën. Duhet bashkim dhe vizion i përbashkët për brezat e rinj dhe për imazhin ndërkombëtar të Prishtinës”.
“Ky është momenti ynë. Bashkë mund ta ndërtojmë Prishtinën e së nesërmes. Tani është koha për punë të mëdha”, përfundoi kryetari Rama. /Zëri