Osmani takohet me Terrasin: Kosova ka përmbushur kërkesat, masat e BE-së të hiqen

Osmani takohet me Terrasin: Kosova ka përmbushur kërkesat, masat e BE-së të hiqen

Aktuale December 09, 2025 - 11:11

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.

Në takim thuhet se u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, m ç’rast Presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet lokale u zhvilluan në mënyrë plotësisht të lirë, të qetë dhe demokratike dhe se transferimi i pushtetit u bë në mënyrë paqësore.

Presidenca njofton se, Osmani theksoi se, pavarësisht bashkëpunimit konstruktiv, vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm.

Në këtë kontekst, Presidentja kërkoi mbështetjen e Terrasit për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit, teksa Kosova ka përmbushur çdo kërkesë të paraqitur nga partnerët evropianë.

“Sipas Presidentes Osmani, heqja e masave do të ishte një sinjal i fuqishëm për qytetarët dhe një mesazh inkurajues për vazhdimin e reformave. Më tej, Presidentja Osmani shtroi nevojën që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE të procedohet sa më parë dhe që anëtarësimi të bëhet në bazë të meritave”

“Gjatë takimit, Presidentja prezantoi një sërë të dhënash të institucioneve ndërkombëtare që e pozicionojnë Kosovën në majat e performancës në shumë fusha kyçe”, thuhet në njoftim. /Zëri