Hamza pret ambasadorin e ri gjerman, kërkon nga ai heqjen e masave të BE-së dhe anëtarësim të Kosovës në KE
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka pritur sot ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, të cilit i ka uruar mirëseardhje në detyrën e re diplomatike.
Hamza ka shkruar në Facebook se e ka njoftuar ambasadorin për përgatitjet që janë duke u bërë për zgjedhjet e ardhshme, si dhe për gatishmërinë e tij për të kontribuuar në formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja pas procesit zgjedhor.
Hamza ka theksuar rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën, duke nënvizuar se vendi pret heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian, si dhe përkrahje të vazhdueshme për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat për BE.
“Në takimin tonë theksova se nga partnerët ndërkombëtarë presim përkrahje në skenën ndërkombëtare, me heqjen e sanksioneve të BE-së, mbështetjen për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për BE”.
“Kosova ka vetëm një drejtim përpara: rrugën euroatlantike”, ka deklaruar Hamza, duke rikujtuar orientimin strategjik të vendit dhe nevojën për mbështetje të shtuar nga partnerët tradicionalë, duke përfshirë Gjermaninë. /Zëri