BE-ja deklarohet rreth heqjes së masave ndaj Kosovës
Foto: Laura Hasani

BE-ja deklarohet rreth heqjes së masave ndaj Kosovës

Aktuale December 10, 2025 - 10:27

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë drejt heqjes graduale të masave ndaj Kosovës, të vendosura në vitin 2023.

Në një përgjigje zyrtare për Tëvë1, BE-ja ka bërë të ditur se blloku evropian synon të vazhdojë me heqjen e mëtejshme të këtyre masave.

BE-ja ka mirëpritur dorëzimin e qetë të qeverisjes lokale në katër komunat veriore dhe ka theksuar se pret që kryetarët e rinj të përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve pa dallim.

Po ashtu, BE-ja ka marrë në dijeni shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare, që pritet të mbahen në më 28 dhjetor, duke nënvizuar rëndësinë e një procesi zgjedhor të administruar mirë dhe konkurrues — përfshirë certifikimin e partive politike, pjesëmarrjen e tyre dhe akreditimin e mediave nga të gjitha komunitetet.

“BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo ato të zgjidhen, dhe të vazhdojë mbështetjen për vendin në rrugën drejt integrimit evropian”, thuhet në përgjigje.

BE-ja shtoi se pret nga Kosova të rikthehet në rrugën e reformave të domosdoshme evropiane dhe të avancojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.