Komandanti i FSK-së në SHBA, theksohet partneriteti strategjik me Gardën Kombëtare të Iowas
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, po qëndron për vizitë zyrtare në shtetin e Iowas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ftesë të agjutantit të përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Iowas (GKA), gjeneralmajor Stephen Osborn.
Sic ka njoftuar FSK-ja, gjatë takimit fillestar gjeneral Jashari u prit nga gjeneral Osborn, me të cilin diskutoi për Programin e Partneritetit Shtetëror (State Partnership Program), sfidat aktuale të sigurisë, si dhe aktivitetet e përbashkëta ndërmjet dy forcave të armatosura. Palët vlerësuan bashkëpunimin ekzistues dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të tij në fusha me interes të ndërsjellë.
Në kuadër të vizitës, gjenerallejtënant Jashari mori pjesë edhe në adresimin vjetor të guvernatores së Shtetit të Iowas, Kim Reynolds, para Asamblesë së Përgjithshme të Iowas. Me këtë rast, bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Iowas u vlerësua lart si një histori suksesi, duke u theksuar rëndësia e forcimit dhe zgjerimit të partneritetit në të ardhmen.
Vizita e komandantit të FSK-së në SHBA konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe partneritetin e ngushtë ndërmjet forcave të tyre të armatosura, i cili vazhdon të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve dhe sigurisë rajonale. /Zëri