Misionet diplomatike në Kosovë nderojnë viktimat e Reçakut, ritheksojnë rëndësinë e kujtesës, drejtësisë dhe paqes
Foto: Laura Hasani

Misionet diplomatike në Kosovë nderojnë viktimat e Reçakut, ritheksojnë rëndësinë e kujtesës, drejtësisë dhe paqes

Aktuale January 15, 2026 - 16:15

Përfaqësues të misioneve diplomatike ndërkombëtare kanë marrë pjesë sot në ceremoninë zyrtare përkujtimore në Reçak, duke nderuar viktimat e masakrës së 15 janarit 1999 dhe duke ritheksuar rëndësinë e kujtesës, drejtësisë dhe paqes, shkruan Zeri.info

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë bëri të ditur se ushtruesi i detyrës së zëvendësshefit të misionit, Josh Peterson, iu bashkua sot udhëheqësve, institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës në përkujtimin e viktimave të masakrës së Reçakut, një akt tmerri që tronditi botën. Në mesazhin e saj, Ambasada Amerikane theksoi se kujtimi i viktimave duhet të shërbejë si kujtesë e detyrës së përbashkët për të mbrojtur të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor, si dhe si thirrje për të mos harruar kurrë atë që bota dëshmoi.

Ambasada Gjermane njoftoi se në ceremoninë zyrtare përkujtimore, ambasadori Rainer Rudolph nderoi viktimat e masakrës së Reçakut. Në ceremoni mori pjesë edhe ambasadori amerikan Ëilliam Ëalker, i cili në vitin 1999 udhëhoqi Misionin Verifikues të Kosovës dhe e bëri menjëherë publik krimin. Ambasada theksoi se kjo ditë duhet të shërbejë si kujtesë për rëndësinë e ndërtimit të një të ardhmeje paqësore, ku mizori të tilla të mos përsëriten më.

Edhe Ambasadori i Francës, Olivier Guérot, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në Reçak, duke e cilësuar atë si një ceremoni prekëse, ku autoritetet dhe qytetarët e Kosovës kujtojnë masakrën e tmerrshme të vitit 1999. Ai vlerësoi zhvillimin e Kosovës ndër vite dhe theksoi gatishmërinë e Francës për të vazhduar mbështetjen e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian dhe zhvillimit ekonomik.

Ambasada Britanike u përfaqësua në ceremoninë përkujtimore nga zëvendës-ambasadori Paul O’Connor. Në njoftimin e saj, Ambasada theksoi se sot u përkujtuan viktimat e masakrës së Reçakut të vitit 1999, duke nderuar 45 jetët e pafajshme të humbura dhe duke shprehur solidaritet me familjet e viktimave, si dhe mbështetje për thirrjet e tyre për drejtësi.

Ambasada e Italisë në Prishtinë ka përkujtuar sot viktimat e masakrës së Reçakut të vitit 1999.

Me këtë rast, ambasadori italian në Kosovë, Maurizio Antonini, ka bërë homazhe në nderim të 45 civilëve të pafajshëm që humbën jetën.

Në njoftimin e publikuar nga Ambasada e Italisë thuhet se kujtimi për viktimat mbetet i përhershëm, ndërsa angazhimi për drejtësi vazhdon.

“Sot, ne nderojmë kujtimin e viktimave të masakrës së Reçakut të vitit 1999. I kujtojmë me respekt 45 civilët e pafajshëm që humbën jetën dhe riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj drejtësisë, në mënyrë që ata të mos harrohen kurrë”, thuhet në deklaratë.

Ceremonia përkujtimore në Reçak edhe këtë vit rikujtoi rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës historike dhe angazhimin e vazhdueshëm për drejtësi dhe paqe të qëndrueshme./Zëri