Kurti takohet me Kosin: Kosova dëshmoi progres, meriton statusin e vendit kandidat
Një tjetër takim e ka zhvilluar kryeministri në detyrë Albin Kurti në margjina të Forumit Ekonomik Botëror, që po zhvillohet në Davos të Zvicrës, kësaj radhe me komisionaren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se shumë tema kanë diskutuar bashkë Kurti e Kosi, derisa bëhet e ditur se kryeministri në detyrë i ka thënë komisionares së BE-së se asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat, andaj, sipas tij, edhe progresi demokratik i Kosovës meriton të vlerësohet me këtë status.
“U diskutua mbi progresin ekonomik dhe avancimin demokratik të vendit të cilat janë kyçe në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Raporti i Vendit i Komisionit Evropian për vitin 2025 dëshmoi se Kosova ka vazhduar progresin në integrimin evropian. Asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat, andaj edhe progresi demokratik i Kosovës meriton të vlerësohet me këtë status”.
Vend në diskutimit mes dyshes, Kurti-Kos bëhet e ditur se ka qenë edhe situata gjeopolitike, Plani i Rritjes, bashkëpunimi rajonal dhe aktualiteti.
“Sa i përket bashkëpunimit rajonal, kryeministri Kurti theksoi se Kosova luan rol aktiv dhe konstruktiv dhe mbështet integrimin më të gjerë ekonomik të rajonit bazuar në vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian”, thotë qeveria e Kosovës në njoftimin për media për këtë takim.
