Rama: Nëse rrezikohet Kosova, rrezikohet edhe Shqipëria
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke i cilësuar ato si të ndikuara nga “makthi” që sipas tij lidhet me Kosovën.
Rama e quajti ironike që Serbia akuzon të tjerët për ndikim “neo-osman”, duke theksuar se realiteti i investimeve turke në rajon tregon të kundërtën. Sipas tij, Turqia ka investuar më shumë në Serbi sesa në Shqipëri dhe Kosovë së bashku.
Deklaratat e Ramës vijnë pasi Vuçiqi, në tetor të vitit të kaluar, akuzoi Turqinë se “po ëndërron Perandorinë Osmane” pas dorëzimit të dronëve “Skydagger” në Prishtinë. Ai kishte akuzuar gjithashtu Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po armatosin shqiptarët në Kosovë, duke e paraqitur këtë si kërcënim për integritetin territorial të Serbisë.
Kryeministri shqiptar hodhi poshtë edhe pretendimet e Vuçiçit se Shqipëria, Kroacia dhe Kosova po formojnë një “aleancë ushtarake” kundër Serbisë. Rama i përshkroi këto deklarata si frikë që rrjedh nga pamundësia e Serbisë për të pranuar realitetin.
“Presidenti Vuçiç është një njeri me njohuri dhe intuitë, por ai ka makthin e vet: Kosova. Pikë,” u shpreh Rama në një intervistë për turkiyetoday.com, duke shtuar se kur ky “makth” ndikon në emocionet e tij, ai arrin të thotë gjëra që sipas Ramës nuk kanë kuptim, transmeton Zeri.info.
Megjithatë, pavarësisht mosmarrëveshjeve, Rama theksoi se Vuçiçi mbetet një lider me të cilin mund të bisedohet dhe të ndërtohen marrëdhënie mbi objektiva të përbashkëta.
Rama: Nëse rrezikohet Kosova, rrezikohet edhe Shqipëria
Kryeministri Rama, ka deklaruar se çdo kërcënim ndaj Kosovës përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë edhe për Shqipërinë, duke theksuar se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.
“Kosova është e pavarur, është republikë. Ky proces është i pakthyeshëm,” u shpreh Rama, duke shtuar se çdo kërcënim ekzistencial ndaj Kosovës do të prekë edhe Shqipërinë.
“Nëse preket Kosova, preket edhe Shqipëria. Nëse Kosova është nën kërcënim ekzistencial, edhe Shqipëria është nën kërcënim ekzistencial,” deklaroi ai.
Duke folur për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Prishtinës dhe Beogradit, Rama pranoi se perspektiva e tij nga Tirana është natyrshëm e ndryshme nga ajo e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe udhëheqjes në Prishtinë.
Ai theksoi se Shqipëria e sheh situatën nga një këndvështrim tjetër historik, duke kujtuar luftën e përgjakshme që shoqëroi shpërbërjen e Jugosllavisë dhe dhunën që, sipas tij, përfshiu Kosovën gjatë asaj periudhe.
Sipas Ramës, kujtimet e asaj kohe, plagët dhe traumat janë ende shumë të pranishme në Kosovë, ndërsa në Shqipëri ndihen më pak, gjë që ndikon edhe në mënyrën se si shihen zhvillimet politike dhe dialogu në rajon. /Zëri