Aleanca zgjedh Ardian Gjinin kryetar të ri, Haradinaj emërohet Kryetar Nderi
Kryetari i ri i Aleancës është zgjedhur Ardian Gjini, pas votimit të zhvilluar në kuadër të punimeve të Kuvendit të X-të Zgjedhor të partisë.
Sipas komunikatës së Aleancës, pas përmbylljes së pjesës solemne të Kuvendit, delegatët votuan për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, ku nga 461 delegatë sa morën pjesë në procesin zgjedhor, 453 votuan për Gjinin, 2 kundër, 1 abstenoi, ndërsa 5 vota rezultuan të pavlefshme.
Në vijim të punimeve, delegatët aprovuan edhe ndryshimet statutare, përfshirë ndryshimin e emrit të partisë nga “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës” në “Aleanca”.
Po ashtu, Kuvendi zgjodhi edhe Kryetarin e Nderit të partisë, ku këtë post do ta mbajë Ramush Haradinaj, si dhe u miratua përbërja e Këshillit të Nderit.
Delegatët zgjodhën gjithashtu edhe Këshillin e Përgjithshëm me 106 anëtarë. Sipas komunikatës, kësaj përbërjeje do t’i shtohet edhe Kryesia e re pas konstituimit, si dhe tre përfaqësues nga diaspora që kanë marrë më së shumti vota në Kuvend.
Aleanca njoftoi se me këtë Kuvend është përmbyllur me sukses procesi i brendshëm zgjedhor, i nisur më 12 shkurt, duke e cilësuar atë si dëshmi të organizimit, unitetit dhe përkushtimit të strukturave të partisë në çdo nivel.
Në fund, Aleanca falënderoi strukturat, delegatët dhe anëtarët për kontributin e dhënë gjatë procesit, duke uruar suksese për kryetarin e ri, Ardian Gjini, dhe të gjithë të zgjedhurit në përgjegjësitë e reja, në funksion të forcimit të Aleancës dhe angazhimit për Kosovën.