Bajrami pas zgjedhjeve: Mosdalja në votime protestë qytetare, duhet reflektim i thellë
Kandidatja për deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas zgjedhjeve parlamentare, duke falënderuar qytetarët që votuan për LDK-në dhe duke vlerësuar se niveli i ulët i pjesëmarrjes në votime përbën një mesazh të qartë për klasën politike.
Në një shkrim në Facebook, Bajrami tha se mosdalja në votime duhet të lexohet si protestë qytetare dhe si thirrje për reflektim e llogaridhënie.
“Mosdalja në votime është po ashtu një mesazh i qartë për secilin prej nesh. E lexoj këtë rezultat si protestë qytetare”, ka shkruar ajo, transmeton Zeri.info.
Sipas saj, shumë qytetarë ndëshkuan partinë që kishte fituar 51 për qind të votave në zgjedhjet e kaluara, ndërsa njëkohësisht i dërguan mesazh edhe opozitës se duhet më shumë punë, seriozitet dhe përkushtim për t’u parë si alternativë qeverisëse.
Bajrami ka kritikuar edhe krizën politike që çoi vendin në zgjedhje të reja, duke thënë se debatet nuk u zhvilluan rreth programeve zhvillimore apo çështjeve strategjike, por rreth ndarjes së posteve.
“Secili e ka kuptuar se tri palë zgjedhje u mbajtën jo për shkak të mospajtimeve në politika zhvillimore, por sepse tema qendrore u bë: kush ku do të ulet”, ka deklaruar ajo.
Në fund, zyrtarja e LDK-së ka bërë thirrje për reflektim të thellë brenda partisë, duke theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës është më shumë se një rezultat zgjedhor dhe duhet të rikthehet më e fortë në skenën politike. /Zëri
Shkrimi i plotë:
Qytetarët folën. Folën fort. Të zëshëm ishin edhe ata që nuk votuan fare!
Faleminderit nga zemra të gjithë atyre që votuan LDK-në dhe na besuan. Faleminderit njerëzve tanë në struktura që punuan ditë e natë.
Mosdalja në votime është po ashtu një mesazh i qartë për secilin prej nesh. E lexoj këtë rezultat si protestë qytetare!
Abstenimi i tyre është thirrje për reflektim dhe llogaridhënie se pse erdhëm në situatën ku mbajmë zgjedhje për të shkuar përsëri në zgjedhje.
Pa asnjë dyshim, shumë qytetarë ndëshkuan partinë që kishte 51 për qind, e cila e keqpërdori, përbuzi dhe nuk e zbatoi vullnetin e popullit.
Njëkohësisht, edhe neve na thanë qartë se duhet më shumë punë, më shumë seriozitet dhe më shumë përkushtim që të na shohin si zgjidhje.
Secili e ka kuptuar se tri palë zgjedhje u mbajtën jo për shkak të mospajtimeve: nëse duhet të prodhojmë apo të importojmë energji, jo sepse nuk u pajtuam për programe zhvillimore, por sepse tema qendrore u bë: kush ku do të ulet.
Përfundimisht, është koha të mendojmë përtej karrigeve.
Dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve është thirrje për reflektim sepse, nëse duam të jemi të sinqertë me veten, qartazi diku ia kemi huqur.
Lidhja Demokratike e Kosovës është më shumë se një palë zgjedhje, më shumë se një rezultat dhe më shumë se një episod politik, andaj duhet reflektim i thellë për tu rikthyer më e fortë.
Faleminderit!