Osmani për CNN: Qytetarët kërkojnë kompromis politik, bllokada po dëmton ekonominë dhe rrugën euroatlantike të Kosovës
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar në një intervistë për CNN International se zgjedhjet e fundit parlamentare nuk kanë arritur t’i japin fund ngërçit politik në vend, duke paralajmëruar se vazhdimi i bllokadës institucionale rrezikon ta thellojë krizën kushtetuese dhe ekonomike.
Në intervistën e transmetuar nga Prishtina, Osmani tha se situata aktuale është e pafat për Kosovën, pasi ka dëmtuar interesat e vendit si në aspektin ekonomik ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Sipas saj, kriza politike ka nisur në një moment kur Kosova po fitonte mbështetje të shtuar nga partnerët perëndimorë dhe po krijohej një momentum i ri ndërkombëtar, veçanërisht pas ndryshimeve në administratën amerikane.
Osmani theksoi se rezultati i zgjedhjeve ka dërguar një mesazh të qartë nga qytetarët, të cilët, sipas saj, presin kompromis dhe bashkëpunim ndërmjet forcave politike për krijimin e institucioneve.
“Zëri i qytetarëve këtë herë është edhe më i qartë se ata duan kompromis midis forcave politike në mënyrë që institucionet të krijohen së bashku e jo vetëm nga një forcë politike”, tha ajo.
Duke folur për procesin e formimit të institucioneve, Osmani theksoi se kompromisi duhet të arrihet jo vetëm për qeverinë e re, por edhe për udhëheqjen e Kuvendit dhe zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.
“Kompromisi është vlera më e mirë që mund të kesh në politikë. Pra, të gjithë do të duhet të punojnë me njëri-tjetrin. Dhe ne jemi gati t’i japim vendit tonë pikërisht këtë”, deklaroi ajo.
Osmani bëri të ditur se është e gatshme për dialog me partitë politike të shumicës, por përjashtoi bashkëpunimin me partinë serbe që, sipas saj, ka qenë e përfshirë në akte agresioni dhe shkelje të rendit kushtetues të Kosovës.
Ajo paralajmëroi se afatet kushtetuese dhe ligjore kërkojnë veprime të shpejta nga spektri politik, duke përmendur veçanërisht afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri.
Ish-presidentja theksoi gjithashtu se vonesat në krijimin e institucioneve po ndikojnë negativisht në proceset strategjike të vendit, përfshirë integrimin evropian dhe aspiratat për anëtarësim në NATO.
Sipas saj, përballë sfidave të sigurisë dhe tensioneve të vazhdueshme me Serbinë, partitë shqiptare duhet të tregojnë unitet dhe të arrijnë kompromis në interes të shtetit.
“Muajt e krizës po krijojnë vonesa në rrugëtimin evropian dhe në procesin e anëtarësimit në NATO. Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale që të vazhdojnë këto procese jetike për vendin”, u shpreh Osmani.