Qytetarët kërkojnë kompromis politik: Jemi lodhur nga zgjedhjet
Foto: Laura Hasani

Qytetarët kërkojnë kompromis politik: Jemi lodhur nga zgjedhjet

Aktuale June 09, 2026 - 12:32

Qytetarët kanë kërkuar marrëveshje politike mes partive, në mënyrë që vendi të dalë nga bllokada.

Ata kanë thënë se pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në zgjedhjet e së dielës tregon që këta të fundit janë lodhur.

Sipas tyre, ky është një alarm për të gjitha partitë politike.

Qytetari Mustafë Shabani tha se duhet të arrihet marrëveshje mes partive politike në interes të shtetit dhe qytetarëve.

“Sa i përket numrit të votuesve, njerëzit janë lodhur, shumë, shumë janë lodhur, unë e shoh të gjithë këtë sepse janë dëshpëruar me gjithë spektrin politik që e kemi tonin, sepse të mbahen dy palë zgjedhje dhe mos të krijohen institucionet shtetërore, kjo nuk është aspak e tolerueshme nga votuesi ynë dhe mendoj këtu është ai problemi kryesor. Gjithsesi është një ndëshkim dhe ky është një alarm për të gjitha partitë politike që më në fund të arrijnë në një kompromis, por jo kompromis për fotelet e tyre që ata i duan dhe i kanë shumë me ëndje, mirëpo të arrihet një kompromis në interes të kombit, të Kosovës, qytetarëve këtu që jetojnë”, tha ai.

Ndërsa qytetari tjetër Albert Maloku ka deklaruar se zgjedhjet e së dielës ishin të mrekullueshme, duke shtuar se siç i ka quajtur ai “oligarkët” nuk mund të luajnë me integritetin e qytetarëve.

“Nuk duhet t’i marrim aq të dobëta, të mrekullueshme janë, është pritë që këto zgjedhje të vijnë në numërimin e tillë, por megjithatë janë edhe faktorë që kanë ndikuar nga mërzia e qytetarëve me sjelljet, arrogancën e parlamentarëve që kanë qëndruar në Parlamentin e Kosovës, me edukatën e tyre jo-qytetare, shumica 80% mund ta them edhe qëlloi edhe rasti i vikendeve, pushimeve kështu që këta janë faktorët që kanë ndikuar te numri pakëz më i ulët i qytetarëve në zgjedhjet e fundit. U ndez ngjyra e kuqe e semaforit ndaj këtyre politiçarëve, që ka dalë se këtu e vendos qytetari i Republikës së Kosovës, jo ju oligarkët në thonjëza, ta them që po mendoni të luani me integritetin e qytetarëve të mrekullueshëm të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kurse Faruk Gashi tha se nëse partitë nuk bëhen bashkë për t’i krijuar institucionet vendi sërish do të shkojë në zgjedhje.

“Numrin e ulët, s’po dalin se po e shohin që nuk ka kurrfarë zgjidhje nuk ka, prapë në zgjedhje kemi me shku, prapë. Nëse nuk bëhen dy, tri parti së bashku, njëri me e marrë presidentin, njëri kryeministrin, njëri kryeparlamentarin, qatëherë munden me shku përpara, përndryshe prapë në zgjedhje jemi. Po ndëshkim është, se populli janë lodhur, brenda një viti e gjysmë, pesë herë me shku në zgjedhje, kjo është lodhje për popullin. Ishalla sivjet po kryhet e po bëhet diçka, mbledhin mend pak”, u shpreh ai.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje merr 42.91% të votave. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 21.12%, Lidhja Demokratike e Kosovës mori 17,58% të votave dhe Aleanca 7,16%. /eo