Pjesëmarrja e FSK-së në “SOF Week 2026” në SHBA vlerësohet dhe përgëzohet nga Ambasada Amerikane
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka përgëzuar Forcën e Sigurisë së Kosovës për pjesëmarrjen e saj të parë në “SOF Week 2026”, një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare të forcave speciale.
Ambasada amerikane theksoi se pjesëmarrja e Forca e Sigurisë së Kosovës krah partnerëve dhe aleatëve ndërkombëtarë përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dhe ndërveprueshmërisë në fushën e sigurisë.
“Fuqizimi i partneriteteve ndërkombëtare — urime FSK-së për pjesëmarrjen e saj të parë në SOF Week 2026, duke përfaqësuar me krenari Kosovën së bashku me vendet aleate dhe partnere, ndërsa avancon bashkëpunimin, gatishmërinë dhe sigurinë e përbashkët”, thuhet në mesazhin e U.S. Embassy Pristina.
Pjesëmarrja e FSK-së në këtë aktivitet shihet si pjesë e rritjes së angazhimit ndërkombëtar të forcës së sigurisë dhe forcimit të rolit të saj në iniciativat shumëpalëshe të sigurisë. /Zëri