Dita e 10-të e protestave në Shqipëri, kërkohet shfuqizimi i tre ligjeve

Dita e 10-të e protestave në Shqipëri, kërkohet shfuqizimi i tre ligjeve

Aktuale June 09, 2026 - 23:56

Për të dhjetën ditë radhazi, qytetarët kanë marshuar përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit të zhvillimit në zonën e Zvërnecit.

Protesta ka kaluar nga kërkesat mjedisore në artikulimin e një agjende politike dhe ligjore, duke i vendosur kushte të drejtpërdrejta Kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit qeveritar.

Sipas organizatorëve dhe aktivistëve në terren, kauza është zgjeruar për të kundërshtuar të gjithë kuadrin legjislativ që rregullon menaxhimin e aseteve natyrore dhe zhvillimin ekonomik në vend. Protestuesit kanë paraqitur zyrtarisht pesë kërkesa, të cilat i konsiderojnë si të panegociueshme:

Dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama

Krijimi i një Qeverie Teknike

Shfuqizimi i Ligjit për Zonat e Mbrojtura

Shfuqizimi i Ligjit për Investimet Strategjike

Anulimi i “Paketës së Maleve”

Nesër është paralajmëruar protestë mbarëkombëtare që u cilësua nga të pranishmit si “Besëlidhja e Tiranës 2026”. Pas fjalimeve protestuesit nisën marshimin drejt bulevardit dhe rrugëve të tjera të Tiranës.