“Kërcënohen” të gjithë ata që përkrahin rektorin, përfshirë dhe ambasadat e huaja

Aktuale dhjetor 03, 2014 - 14:10

Kërkesa e Avokatit të Popullit që ministri i arsimit Ramë Buja dhe kryeministri Hashim Thaçi të pezullojnë zbatimin e vendimit për regjistrimin e fëmijëve të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka irrituar shoqatat e dala nga lufta, transmeton Zeri.info.

Deklarimi i Avokatit të Popullit se çdo ndërhyrje e jashtëligjshme në zhvillimin e rregullt të procesit mësimor, konsiderohet totalisht e papranueshme, sipas shoqatave është e njëanshme.

“Gjithë këta që dalin e flasin janë të njëanshëm. Asnjëherë avokati i popullit nuk ka ardhur tek ne dhe nuk besoj se ka pasur në dorë memorandumin dhe as Ligjin për vlerat e luftës që nuk është i zbatueshëm”, ka thënë Xhavit Jashari, në emër të shoqatave të dala nga lufta, transmeton Zeri.info.

Ai tha se institucionet, ministri, kryeministri , dhe të gjithë njerëzit kanë të drejtë të implikohen në zgjidhjen e këtij problemi, por nuk kanë të drejt njëanshëm, pasi që sipas tij gjithë kjo që po ndodh nuk mund t’i ikin përgjegjësisë as qeveria as Parlamenti.

Jashari tha se po të kishte një ligj të zbatueshëm dhe të ishte zbatueshmëria e tij e plotë, nuk do të kishte nevojë të flitej për memorandum të mirëkuptimit.

“Por dhe këta njerëz që do të jenë mbrapa (rektorit) le ta din se nuk do të jenë të pafajshëm dhe nuk do t’i kursejmë në asnjë mënyrë...”, ka thënë ai. Jashari ka akuzuar ambasadat e huaja diplomatike se po përkrahin rektorin. “Ambasadat nuk mund të kenë qasje të zgjidhin problemet në institucionet valide” tha ai./Zeri/