Moderatorët e Facebook-ut po pësojnë efekte të tmerrshme nga materialet e dhunshme

Moderatorët e Facebook-ut po pësojnë efekte të tmerrshme nga materialet e dhunshme

Auto&Tech September 17, 2019 - 15:11
Detajet

Detyra e kontrollimit të përmbajtjeve në rrjetin social Facebook vazhdon t’iu shkaktojë dëmtime psikologjike punëtorëve të kësaj kompanie gjigante, disa muaj pas përpjekjeve për përmirësimin e kushteve për mijëra punëtorë.

Një grup i kontraktorëve të tanishëm dhe të mëparshëm, të cilët kanë punuar për disa vjet në qendrat e kontrollit të rrjetit social në Berlin, kanë raportuar se i kanë parë kolegët e tyre të varur ndaj përmbajtjeve të ndjeshme dhe ndaj mbledhjes së materialeve për koleksione personale.

Ata gjithashtu thanë se disa punëtorë janë bërë pjesë e së djathtës ekstreme për shkak të gjuhës së urrejtjes dhe lajmeve të rreme që lexojnë çdo ditë.

Ish-punëtorët thonë se janë lodhur nga vëllimi i punës, pamjet e dhunshme, lakuriqësia dhe ngacmimet, të cilat janë të detyruar t’i shohin tetë orë në ditë dhe për këtë punë paguheshin shumë pak.

“Shumica e bisedave private mes të rriturve dhe fëmijëve apo 90 për qind e tyre janë seksuale. Burrat e pasur nga Evropa apo Shtetet e Bashkuara iu dërgojnë mesazhe fëmijëve nga Filipinet. Ata përpiqen të marrin fotografi seksuale për 10 apo 20 dollarë”, tha një moderator.

Punëtorët kanë folur për këtë problem në kushte anonimiteti, sepse ata paraprakisht kanë nënshkruar kontrata për mospublikimin e të dhënave, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.