“Facebook” bllokohet për orë të tëra në SHBA dhe Evropë

“Facebook” bllokohet për orë të tëra në SHBA dhe Evropë

Auto&Tech January 23, 2021 - 09:11

Me mijëra përdorues, në SHBA dhe në Europë, nuk kanë mundur të futen në llogaritë e tyre të Facebook mbrëmjen e së premtes ose në shumë raste, videot pornografike kishte “pushtuar” faqet e tyre.

Sipas “Downdetector”, e cila monitoron rrjetet sociale, të paktën 4800 persona kanë raportuar në këtë faqe se nuk arrinin të futeshin në llogaritë e tyre. Ky problem ka prekur edhe shumë persona në mesnatë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Europë.

“Besojmë se ky problem ka ardhur si pasojë e ndryshimit të konfigurimeve. Ne jemi duke punuar për t’i kthyer sërish gjërat në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur”, reagoi me anë të një deklarate kompania.

Disa përdorues, të cilët arritën të futen në llogaritë e tyre, thanë se profili i tyre ishte mbushur me video pornografike. “Ka një problem serioz tani me Facebook. Ju lutem mos i lejoni fëmijët tuaj të futen”, shkroi Mary Katherine Backstrom, një përdoruese.

“Nëse shkoni në ‘Facebook Watch’ dhe shkruani ‘video’, do të keni vetëm pornografi. Mbani fëmijët tuaj larg”, shkroi një tjetër.

Ky shqetësim i përdoruesve nuk u komentua në reagimin e kompanisë./A2news