Google Maps do t’i tregojë rrugët më “miqësore” me mjedisin

Google Maps do t’i tregojë rrugët më “miqësore” me mjedisin

Auto&Tech March 31, 2021 - 10:14

Aplikacioni i navigimit rrugor Google Maps do të fillojë të udhëzojë drejtuesit e automjeteve drejt rrugëve që llogariten se janë më miqësore me tokën, bazuar në një listë të faktorëve.

Kompania Google tha se do të përfshijë edhe mundësinë e zgjedhjes së rrugëve për udhëtim ku gjenerohet emetim më i ulët i karbonit duke përdorur kryesisht të dhënat e trafikut dhe pjerrësitë e rrugëve.

Google tha se ky tipar i navigimit do të nisë së pari në SHBA, më vonë këtë vit, dhe pastaj do të zgjerohet në tërë botën.

Kjo karakteristikë e re në aplikacionin e navigimit është pjesë e angazhimit të kompanisë për të luftuar ndryshimin e klimës.

Kur rrugët alternative janë dukshëm më të shpejta, Google do të ofrojë zgjedhje dhe do t'i lejojë përdoruesit të krahasojnë emetimin e karbonit.

Google, në pronësi të Alphabet, tha se përdor të dhëna të emetimeve bazuar në testime në lloje të ndryshme të makinave dhe llojeve të rrugëve, duke u mbështetur në njohuritë nga Laboratori Kombëtar i Energjisë së Rinovueshme të Qeverisë së SHBA-së (NREL)./REL