Sa para fitojnë YouTuber-at me 1 milion ose më shumë abonentë?

Sa para fitojnë YouTuber-at me 1 milion ose më shumë abonentë?

Auto&Tech May 29, 2022 - 23:05

Tejkalimi i shifrës së 1 milion abonentëve në YouTube është një moment historik i madh dhe, në terma praktike, shpesh nënkupton që një krijues mund të fitojë “paratë për jetesë” nga platforma.

Krijuesit e YouTube fitojnë para në disa mënyra, por paratë nga reklamat që shfaqen në videot e tyre zakonisht përbëjnë një pjesë të madhe të të ardhurave të tyre, shkruan Business Insider, përcjell Telegrafi.

Për shembull, vë në pah mediumi në fjalë, Andrei Jikh, një YouTuber financash me 1.7 milion abonentë, ka fituar 1.6 milion dollarë të ardhura nga reklamat në më pak se tre vjet.

Një tjetër YouTuber, krijuesja e stilit të jetesës, Tiffany Ma, fiton deri në 11,500 dollarë në muaj nga reklamat në videot e saj, tha ajo për Insider.

Për të filluar të fitojnë para direkt nga YouTube, krijuesit duhet të kenë të paktën 1000 abonentë dhe 4000 orë shikimi gjatë vitit të fundit.

Pasi të arrijnë atë prag, ata mund të aplikojnë për Programin e Partnerëve të YouTube, i cili i lejon ata të fillojnë të fitojnë para nga kanalet e tyre përmes reklamave, abonimeve dhe anëtarësimeve në kanal.

Për çdo 1000 shikime reklamash, reklamuesit paguajnë një tarifë të caktuar në YouTube. YouTube merr 45% të të ardhurave, dhe krijuesi merr pjesën tjetër.

Dy treguesit kryesorë për të fituar para në YouTube janë shkalla e CPM-së, ose sa para paguajnë reklamuesit në YouTube për 1000 shikime të reklamave dhe norma e RPM, që është sa të ardhura fiton një krijues për çdo 1000 shikime video.

Por “të ardhurat nga reklamat për kriptovaluta janë shumë më të larta se çdo gjë tjetër që lidhet me financat, si kartat e kreditit apo bankat”, ka thënë Jikh për Insider.

Ndërsa përmbajtja e stilit të jetesës së Ma sjell më pak para, ajo ka përsosur një strategji për të maksimizuar këtë, përcjell Telegrafi.

Shumë nga këta krijues fitojnë para edhe jashtë YouTube.

Graham Stephan, i cili ka 3.4 milionë abonentë, lansoi markën e tij të kafesë, për shembull.

Por paratë e bëra drejtpërdrejt nga YouTube përbëjnë një shtyllë kryesore të të ardhurave të shumë krijuesve.