Senatori australian: Imigrimi i myslimanëve e shkaktoi sulmin në xhami

Senatori australian: Imigrimi i myslimanëve e shkaktoi sulmin në xhami

Bota mars 15, 2019 - 18:41
Lexoni detajet

Senatori australian, Fraser Anning, e ka bërë një reagim të çuditshëm pas sulmit masiv që shkaktoi 49 viktima në dy xhami të Zelandës së Re. Ai ka thënë se dhuna është e lidhur me imigrimin e myslimanëve.

Përmes një deklarate të shpërndarë në rrjetet sociale, senatori Anning gjithashtu ka shkruar: “Si gjithmonë, politikanët majtistë dhe mediet do të nxitojnë për të thënë se shkaktarë të sulmit të sotëm janë ligjet për mbajtjen e armëve dhe ata që kanë qëndrime nacionaliste, por kjo është klishe që nuk ka kuptim.”

“Shkaktari i vërtetë i gjakderdhjes në rrugët e Zelandës së Re është programi i imigrimit që ua mundësoi fanatikëve myslimanë imigrimin në Zelandë të Re”, ka thënë ai.

Kjo deklaratë është kritikuar nga shumë figura të njohura politike. Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, ka thënë se fjalët e senatorit për sulmin dhe për imigrimin janë neveritëse. Sipas tij, këto bindje nuk kanë vend në parlamentin australian dhe askund tjetër në Australi.

Ministri i brendshëm britanik, Sajid Javid, e ka akuzuar këtë senator për nxitje të ekstremizmit. “Në kohën e vajtimit dhe reflektimit, ky senator po i fryen zjarrit të dhunës dhe ekstremizmit”, ka shkruar ai në Twitter, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.