Mijëra protestues kërkojnë referendum të ri për Brexitin

Mijëra protestues kërkojnë referendum të ri për Brexitin

Bota March 23, 2019 - 13:41
Lexo Detajet

Dhjetëra mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në marshimin e sotëm në qendër të Londrës, të titulluar “Put it to the People”, me ç’rast po kërkohet mbajtja e referendumit të dytë për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Një marshim i këtillë ishte mbajtur edhe në tetor të vitit të kaluar, ku kishin marrë pjesë rreth 700 mijë njerëz.

Ky tubim është organizuar nga organizatat “Vota e Popullit”, “Britania për Evropën” dhe “Britania e Hapur”. Pjesëmarrësit po kërkojnë që të mbahet edhe një votim popullor për çështjen e Brexitit, duke besuar që shumica e njerëzve do ta mbështesin mbetjen e Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian.

Ndërkaq, në internet është organizuar një peticion, me të cilin i bëhet thirrje qeverisë që ta anulojë daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Këtë peticion e kanë nënshkruar më shumë se 4 milionë e 150 mijë persona.

Pritet që marrëveshja e kryeministres May të votohet për herë të tretë në kuvendin britanik gjatë javës së ardhshme. Analistët thonë se kjo marrëveshje ka pak gjasa që t’i marrë votat e mjaftueshme, ndonëse Bashkimi Evropian ka pranuar që data e Brexitit të shtyhet deri në maj.

Chuka Umunna, zëdhënës i Grupit të Pavarur, i cili përbëhet nga deputetët e pakënaqur me qëndrimet e partisë së tyre, tha se popullit britanik i është shitur një fantazi, e cila tash po del të jetë ndryshe, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.