Vazhdojnë protestat në Francë, policia dhe ushtria e 'blindojnë' Parisin

Vazhdojnë protestat në Francë, policia dhe ushtria e 'blindojnë' Parisin

Bota March 23, 2019 - 14:10
Lexoni detajet!

Mijëra protestues janë duke marrë pjesë në protestat e radhës në Francë kundër qeverisë së presidentit Emmanuel Macron. Autoritetet e sigurisë i kanë angazhuar mijëra policë dhe ushtarë. Pjesa më e madhe e tyre do të patrullojë në Paris.

Qeveria është zotuar se nuk do ta lejojë përsëritjen e skenave të dhunës nga protestat e javës së kaluar. Dhjetëra automjete të policisë, përfshirë kamionët e blinduar dhe hedhësit e topave të ujit, janë parë në qendër të Parisit, ndërsa policët i kanë kontrolluar qeset e qytetarëve dhe kanë patrulluar pranë dyqaneve.

Autoritetet e kanë shpallur të ndaluar mbajtjen e protestave në pjesën më të madhe të perëndimit të qytetit, ku javën e kaluar kishte dhunë dhe dëme materiale në dyqane e restorante.

Dje, guvernatori ushtarak i Parisit, Gjenerali Bruno Leray, deklaroi se ushtarët kanë të drejtë të gjuajnë me armë zjarri në rast se rrezikohet jeta e njerëzve nga protestuesit e dhunshëm.

Kjo deklaratë është kritikuar ashpër nga partitë opozitare, të cilat e kanë akuzuar qeverinë se po luan me zjarr. Sidoqoftë, presidenti Macron ka thënë se ushtarët nuk do të detyrohen t’i drejtojnë armët drejt protestuesve.

“Jelekverdhët” kanë bërë thirrje që protesta në Paris të mbahet në pjesë të tjera të qytetit, përfshirë sheshin “Trocadero”, përballë Kullës së Eiffelit, ndonëse kjo zonë ka qenë e qetë në mëngjesin e së shtunës.

Sidoqoftë, bankat dhe shumë biznese tjera kanë qëndruar të mbyllura në disa pjesë të qytetit. Pronarët e bizneseve kanë vendosur mbrojtëse druri në dritaret e lokaleve të tyre nga protestuesit e dhunshëm.

Përpos në Paris, zyrtarët francezë e kanë ndaluar mbajtjen e protestave edhe në Tolouse, Bordeaux, Dijon, Rennes dhe Nice, ku presidenti kinez, Xi Jinping, do të takohet me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, shkruan “Daily Mail”.

Image 
Image