Ish-presidenti qëllon veten me armë pak para arrestimit

Ish-presidenti qëllon veten me armë pak para arrestimit

Bota April 17, 2019 - 16:06
Lexo Detajet

Ish-presidenti i Perusë Alan Garcia ka qëlluar veten pak para sesa policia ta arrestonte.

69-vjeçari i akuzuar për pastrim parash, është transportuar menjëherë drejt spitalit Casimiro Ulloa në Lima.

Avokati i ish-presidentit, Erasmo Rayna, ka konfirmuar ngjarjen duke e konsideruar si “delikate” gjendjen shëndetësore të klientit të tij. “Në këto momente po i nënshtrohet një operacioni. Le t’i lutemi Zotit që t’i japë fuqi”, tha ai.

Televizionet lokale raportojnë se Garcia iu nënshtrua një kirurgjie emergjente dhe ndodhej në gjendje kritike. Mediat vendase kanë zbuluar imazhe të djalit të Garcias dhe mbështetësve të tij teksa mbërrijnë në spital.

Kujtojmë që Garcia ka shërbyer si president i Perusë për dy mandate, fillimisht në vitet 1985-1990, dhe në mandatin e dytë mes viteve 2006-2011.

Ai po hetohej lidhur me një aferë ku dyshohet se ka pranuar ryshfet nga një firmë ndërtimi braziliane gjatë kohës që ishte në detyrë.