Vdes ish-presidenti peruan që e qëlloi veten me armë

Vdes ish-presidenti peruan që e qëlloi veten me armë

Bota April 17, 2019 - 18:38
Lexo Detajet

Ish-presidenti i Perusë, Alan Garcia, ka vdekur pasi qëllimisht e qëlloi veten me armë zjarri në qafë në momentin kur policia e kishte rrethuar shtëpinë e tij për ta arrestuar lidhur me dyshimet për korrupsion.

“Jam i pikëlluar nga vdekja e ish-presidentit Alan Garcia. Ua shpreh ngushëllimet familjes së tij dhe njerëzve të dashur”, shkroi presidenti i tanishëm i Perusë, Martin Vizcarra.

Disa orë më parë, avokati i tij, Erasmo Reyna, tha para gazetarëve se klienti i tij vendosi ta qëllonte veten me armë në orët e hershme të së mërkurës pasi policët shkuan në shtëpinë e tij për ta arrestuar dhe për ta dërguar në paraburgim.

Ministri i brendshëm i Perusë, Carlos Moran, tha se Garcia u kishte thënë policëve se do ta thërrasë avokatin e tij dhe më pas e qëlloi veten në dhomën e gjumit.

Garcia, 69-vjeçar, është një nga politikanët më të njohur në Peru. Ai ka shërbyer dy herë si president i këtij shteti të Amerikës Jugore, herën e parë nga viti 1985 deri në vitin 1990 dhe herën e dytë nga viti 2006 deri në vitin 2011.

Që nga përfundimi i mandatit, ai është bërë pjesë e një skandali për korrupsion, i cili kishte nisur në Brazil, por që u përhap në tërë Amerikën Latine. Në të janë përfshirë qindra politikanë dhe udhëheqës biznesesh.

Në fund të vitit të kaluar, ish-presidenti kishte kërkuar strehim në ambasadën e Uruguait në Lima dhe bëri kërkesë për azil, por kërkesa e tij u refuzua dhe ai u kthye në shtëpi, shkruan “The Guardian”,