Alarmi: Për 10-20 vjet, mund të shpërthejë Lufta e Tretë Botërore

Alarmi: Për 10-20 vjet, mund të shpërthejë Lufta e Tretë Botërore

Bota April 19, 2019 - 10:00
Lexoni detajet

Sllavoj Zhizhek, është gjithmonë befasues. Mund të mos biem dakord shpesh me filozofin marksist slloven, që konsiderohet nga shumë njerëz një mendimtar heterodoks radikal.

Por duke lexuar librin e tij të fundit, “Si një hajdut në mes të ditës”, dhe intervistuar në Festivalin e Librit në Romën, del nga mendimi i tij një element shumë interesant që ka kaluar pa u vënë re më parë, veçanërisht në funksion të zgjedhjeve europiane më 26 maj:europeizmi i tij i fortë.

“Në një botë ku vendimet merren në mbledhjet konfidenciale të ‘liderëve të fortë’, s’ka vend për Evropën siç e njohim. Natyrisht, Trumpi ndihet më i qetë në shoqërinë e udhëheqësve autoritarë, me të cilët ai mund ‘të bëjë biznes’, veçanërisht nëse ata veprojnë vetëm në emër të shtetit të tyre”.

”Amerika e Para”, mund të bëjë biznes me “Kina e Para” ose “Rusia e Para”, apo pas Brexit “Britania e Para”, por jo me një Evropë të bashkuar. Qëllimi i Trump, është të bëjë biznes me partnerë individualë, që mund t’i shantazhojë deri në nënshtrim, prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që Evropa të veprojë si një forcë e vetme ekonomike dhe politike”- thuhet në libër.

“Por pse Evropa nuk i pëlqen kaq shumë njerëzve në botë? Trump nuk e honeps dot, dhe as Steve Bannon, i dërguari i tij në Evropë, që vjen rregullisht në kontinentin e vjetër me qëllimin e deklaruar për ta shkatërruar atë.

Dhe Vladimir Putin, që në teori e kundërshton Trumpin, por që praktikisht po bën sistematikisht të njëjtën gjë: nuk i intereson nëse është e majtë apo e djathtë, mbështet pavarësinë e Katalonjës, Mateo Salvinin në Itali, Lë Penin në Francë, dhe kështu me radhë. Vetëm për të shkatërruar Evropën”- shtoi Zhizhek me pasion, para audiencës së mbledhur në Romë.

“Dhe nuk mundeni as të imagjinoni sa serioze është kjo urrejtie për Evropën, brenda të ashtuquajturës të djathtës alternative amerikane. Në uebsajtet e saj (e djathta nacionaliste dhe supremaciste), filozofi thotë se ,”antikrishti është një Evropë e bashkuar, dhe Brukseli është Babilonia e re”.

Mbi këtë pikëpamje të botës, në libër thuhet ndër të tjera se: ”Armiqtë e vërtetë të Shteteve të Bashkuara, nuk janë terroristët islamikë, por kukullat e manipuluara në fshehtësi të madhe nga shekularistët evropianë, domethënë nga forcat e vërteta të antikrishtit që duan të dobësojnë Shtetet e Bashkuara, për të krijuar një Rend të Ri Botëror të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara.

Në njëfarë kuptimi, këto konsiderata janë të sakta: Evropa nuk është thjesht blloku gjeopolitik i rradhës i pushtetit, por një vizion global, që përfundimisht është i papajtueshëm me shtetet-kombe. Pra, çfarë e pengon Evropën të mbledhë forcat e saj dhe të reagojë?”

Në dallim nga shumë vëzhgues, Zhizhek nuk e konsideron kohën që jetojmë të krahasueshme me vitet 30 të shekullit XX-të, por më tepër me vitet e para të atij shekulli. Dekadenca e Perandorisë Britanike, provokoi tensione dhe përplasje shumë të forta ndërkombëtare, për të mbushur boshllëkun e fuqisë që u krijua.

Po shkohej pandalshëm drejt Luftës së Parë Botërore, me asnjë që ishte në gjendje ta ndalte atë garë të çmendur. Sipas tij, edhe sot jemi duke dëshmuar rënien e një fuqie, Shtetet e Bashkuara, që gjeneron një boshllëk pushteti që duan ta mbushin fuqitë në zhvillim.

Për Zhizhek, edhe tani po shkojmë drejt një lufte, e cila do të shpërthejë pas 10 apo maksimumi 20 vjetësh, dhe që duhet të parandalohet me çdo kusht. “Situata e re, është kaq e mbushur me rreziqe, sa që ajo krijon një mundësi unike për Evropën: Të angazhohet në formimin e një sistemi të ri ekonomik botëror, që nuk do të dominohet më nga dollari amerikan, si një monedhë globale”- shkruan ai.

“Në ekonominë globale ka plasur luftra, prandaj është koha të merren masa ekstreme. Evropa duhet të jetë e vetëdijshme, që ne s’mund të kthehemi në kushtet që ekzistonin përpara Trumpit. Për t’i dhënë ndëshkimin e merituar Trumpit, nevojitet një rend vërtetë i ri botëror. As Rusia dhe as Kina nuk mund ta krijojnë atë. Ata po luajnë të njëjtën lojë si Trumpi, flasin të njëjtën gjuhë të ”Amerika (Rusia, Kina) e Para”.

Këtë mund ta bëjë vetëm Evropa, edhe pse shpesh për fat të keq ajo ka humbur rastin për të luajtur këtë rol themelor. ”Ajo që i ndërlikon më shumë problemin, është se Evropa duhet të përballet me revoltën e saj populiste, të shkaktuar nga mosbesimi gjithnjë në rritje i njerëzve, ndaj teknokracisë së Brukselit, që shihet si një qendër pushteti pa legjitimitet demokratik. Rezultati i zgjedhjeve të fundit në Itali, ishte i tillë që për herë të parë në një vend të zhvilluar perëndimor, populistët euroskeptikë u ngjitën në pushtet”- shkruan filozofi në librin e tij të fundit.

Dhe ende një pjesë e së majtës në Evropë “e hyjnizon” shumë këtë vizion të Brukselit, i parë nga Zhizhek si një “burokraci e korruptuar dhe ekspertë financiarë që janë jashtë realitetit”. “Natyrisht që unë jam shumë kritik ndaj establishmentit evropian. Por jam më i bindur se kurrë më parë, se Evropa është ende një ide tepër e fortë: liria, solidariteti, të drejtat e njeriut, dhe madje edhe një siguri e caktuar sociale që vjen nga mirëqenia publike, dhe kështu me radhë”. “Emigrantët besojnë me shumë tek Evropa se sa vetë ne”- thotë i hidhëruar filozofi slloven, i cili na fton të konsiderojmë me dashamirësi të gjitha arritjet, të etiketuara prej tij si “të pabesueshme” të demokracive sociale skandinave, dhe ato të Evropës Perëndimore.

“Dua të jem brutal, dhe të them diçka që mund të duket e çuditshme, për dikë që pretendon të jetë komunist: në historinë e njerëzimit, nuk ka pasur asnjëherë një numër kaq të madh njerëzish që jetonin kaq të lirë, të sigurtë dhe të mbrojtur nga sistemi i mirëqenies si në Evropën Perëndimore, të 70 viteve të fundit”.

Disa nga vendet tona, janë sjellë sigurisht në të kaluarën si fuqi të dhunshme koloniale, dhe tema e përgjegjësive të tyre historike, është shumë e artikuluar dhe e ndërlikuar, “por ajo që më pëlqen”, shpjegon Zhizhek, “është ajo që unë e quaj mazokizmi i të majtës evropian” .

“Shumë të majtë, ndihen kaq shumë në faj, sa që çdo gjë e keqe që ndodh në vendet në zhvillim, duhet të jetë domosdoshmërisht faji i kolonializmit evropian”.

“Prandaj duhet të këmbëngulim në forcimin e Evropës, natyrisht në një bazë më të majtë. Ju mund të thoni që kjo është utopike. Dhe ndoshta është e tillë. Por le të reflektojmë më mirë mbi pasojat: nëse partitë si ato të Salvini dhe Lë Pen, ngjiten në pushtet në shumicën e vendeve, ky do të jetë fundi i Evropës”- thotë Zizek.

Kërcënimi i vërtetë për kontinentin e vjetër, vjen pikërisht nga ata që e shpallin veten mbrojtës të kufijve dhe qytetërimit të saj. “Populistët e sotëm anti-emigrantë, janë sot kërcënimi real për zemrën emancipuese të Iluminizmit Europian. Një Evropë që do të kishte në pushtet njerëz si Marin Lë Pen apo Gert Vilders, nuk do të jetë me e tillë”- shkruan Zhizhek në libër.

Filozofi slloven, që në librin e tij sulmon ashpër presidentin francez Emanuel Makron, e cilëson “një zgjedhje të mjerueshme” propozimin ndaj votuesve francezë midis Makron dhe Lë Pen, teksa vlerëson liderët më të majtë të partive progresiste evropiane.

Ai kritikoi edhe Partinë Laburiste Britanike, duke u përqendruar pikërisht në “ftohtësinë e saj” në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian. “Prandaj, është absolutisht e rëndësishme që e majta evropiane, të mbetet pan-evropiane. Edhe Xheremi Korbin ende nuk e ka kuptuar, se kapitali ndërkombëtar nuk mund të luftohet jashtë Evropës. Dhe ky është konflikti i madh, që ka sot e majta”./“Internazionale” – Bota.al