Turqia arreston nëntë persona për sulmin ndaj liderit të opozitës

Turqia arreston nëntë persona për sulmin ndaj liderit të opozitës

Bota April 22, 2019 - 15:36
Lexoni më shumë detaje

Autoritetet e sigurisë në Turqi i kanë arrestuar nëntë persona pasi lideri i partisë kryesore opozitare, Kemal Kilicdaroglu, u sulmua me grushte gjatë ceremonisë së varrimit të një ushtari turk. Në mesin e të arrestuarve është edhe një anëtar i partisë së Erdoganit.

Kilicdaroglu u sulmua të dielën, kur po merrte pjesë në funeralin e ushtarit të vrarë gjatë luftimeve me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit. Ceremonia e varrimit u bë në pjesën veriore të Ankarasë.

Gjatë fushatës zgjedhore, Erdogani e ka akuzuar shpesh Partinë Republikane dhe Kilicdaroglun për lidhje me terrorizmin sepse kishin marrëveshje zgjedhore me partinë pro-kurde, HDP, për të cilën presidenti turk thotë se është e lidhur me partinë ilegale, PKK.

Ministri i brendshëm, Suleyman Soylu, tha se nëntë persona janë arrestuar, duke shtuar se kontaktet e fundit të Kilicdaroglut me partinë kurde ndikuan që ai të sulmohej fizikisht nga disa njerëz në varrim. Ai tha se kryetari i opozitës është dashur t’i informojë autoritetet paraprakisht për pjesëmarrjen në këtë ceremoni.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Turqinë, Kati Piri, tha se ky sulm është nxitur nga retorika e tensionuar politike. “Ka mundësi që ky sulm është nxitur nga gjuha e urrejtjes e politikanëve në pushtet. Ky polarizim radikal duhet të marrë fund”, tha ajo, shkruan “Reuters”.