Trump shpall emergjencë kombëtare për shkak të kërcënimeve teknologjike

Trump shpall emergjencë kombëtare për shkak të kërcënimeve teknologjike

Bota maj 16, 2019 - 18:30
Lexoni detajet

Presidenti amerikan, Donald Trump ka shpallur emergjencë kombëtare për të mbrojtur rrjetet kompjuterike të Shteteve të Bashkuara nga “kundërshtarët e huaj”.

Ai ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv, i cili menjëherë u ndalon kompanive amerikane që të përdorin shërbime telefonike të huaja, që besohet se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.

Ky urdhër nuk përmend ndonjë kompani në veçanti, mirëpo besohet se shënjestron kompaninë kineze, Huawei.

Gjiganti teknologjik kinez ka thënë se kufizimi i të bërit biznes në Shtetet e Bashkuara vetëm do të dëmtojë konsumatorët dhe kompanitë amerikane, transmeton BBC.

Dhjetëra shtete, të nxitura nga Shtetet e Bashkuara kanë ngritur shqetësime muajin e kaluar se produktet e kompanisë kineze Huawei, mund të përdoren nga Kina për vëzhgim, pavarësisht se kompania kineze ka mohuar ashpër këto pretendime.

SHBA ngre akuza kundër gjigantit kinez Huawei

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë presion aleatëve që po ashtu të heqin dorë nga gjenerata e re e rrjetit mobil 5G, të ofruar nga Huawei.

Departamenti amerikan i Tregtisë ka shtuar Huawei-n në “listën e entiteteve”, hap që i ndalon kësaj kompanie të sigurojë teknologji nga Shtetet e Bashkuara pa miratim qeveritar.

Këto masa ka mundësi që të përkeqësojnë tensionet në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, të cilat veçse janë përshkallëzuar këtë javë me rritje të tarifave tregtare.

Ashpërsohet lufta tregtare SHBA-Kinë

Huawei ka qenë epiqendra e konfliktit në mes të SHBA-së dhe Kinës, që ka dominuar politikën globale gjithë vitin e kaluar.

Çfarë thuhet në urdhër?

Bazuar në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, urdhri i Trumpit synon të “mbrojë Amerikën nga kundërshtarët e huaj që në mënyrë aktive janë duke shfrytëzuar dobësitë në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit”.

Përmes këtij urdhri, Sekretari amerikan i Tregtisë tani ka fuqi që të “ndalojë transaksionet që përbëjnë rrezik të papranueshëm për sigurinë kombëtare”.

Ky hap është mirëpritur nga drejtuesi i Komisionit Federal për Komunikime, Ajit Pai, i cili e ka cilësuar këtë masë “shumë të rëndësishme për sigurinë e rrjeteve të Amerikës”.

Shtetet e Bashkuara deri më tani u kanë ndaluar një varg agjencive federale përdorimin e produkteve të Huaweit.

Si është përgjigjur Huawei?

Kompania kineze ka thënë se puna e saj nuk përbën kërcënim dhe është e pavarur nga Qeveria kineze.

“Ndalimi i Huaweit në të bërit biznes në SHBA, nuk do ta bëjë SHBA-në më të sigurt apo më të fuqishme”, është thënë në deklaratën e kësaj kompanie, pas vendimit të Trumpit.

“Në vend të saj, kjo masë do të kufizojë SHBA-në në opsione më të shtrenjta, duke e lënë larg zhvillimit të rrjetit 5G, dhe krejt në fund do të dëmtojë interesat e konsumatorëve dhe kompanive amerikane”.

Kjo kompani po ashtu ka thënë se “kufizimet e paarsyeshme” ndaj Huawit kanë rritur “çështje tjera ligjore shumë serioze”.

Gjatë një takimi në Londër të martën, drejtuesi i kompanisë Huawei, Liang Hua ka thënë se është i gatshëm për të nënshkruar “marrëveshje për mosspiunim me qeveritë” teksa shqetësimet lidhur me sigurinë e produkteve të saj vazhdojnë të rriten.

Si ndikon ky vendim në luftën tregtare?

Presidenti Trump është ankuar për praktikat tregtare të Kinës prej kur ka nisur udhëheqësinë më 2017.

Javën e kaluar, SHBA-ja ka rritur më shumë se dyfish tarifat në mallrat kineze në vlerë të 200 miliardë dollarëve, derisa Kina ka thënë se do të hakmerret me shtim të tarifave në mallrat amerikane.

Këto masa kanë përshkallëzuar konfliktin që fillimisht dukej se ishte afër përfundimit, për shkak të negociatave që po zhvillonin dy palët në këtë çështje.

Rrethi i fundit i negociatave tregtare SHBA-Kinë ka mbaruar të premten në Uashington pa ndonjë marrëveshje. /Rel