Si reaguan liderët evropianë për dorëheqjen e Theresa May?
Liderët e Evropës kanë reaguar ndaj paralajmërimit të kryeministres së Britanisë së Madhe, se do të dorëhiqet me datën 7 qershor.
Ende mbetet e paqartë se kush do të jetë pasardhësi/ja e May, por gjasat më të mëdha i ka Boris Johnson, i cili kishte shërbyer si kryetar i Londrës dhe ishte ndër personat më të zëshëm për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, raporton Euronews, transmeton Gazeta Express.
Franca
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se ai ishte duke shpresuar për një qartësim të situatës së Brexit-it, duke shtuar se May ka bërë një “punë të guximshme” për një marrëveshje të daljes nga blloku, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Pallati Elysee.
Gjermania
Sekretari i kancelares gjermane, Angela Merkel, tha se ajo kishte shpresuar se May do të qëndrojë deri në dalje të Britanisë nga BE-ja, duke shtuar se është e nevojshme që kushdo që vjen pas saj, të ofrojë një zgjidhje të mirë për Brexit.
Holanda
Mark Rutte, kryeministri holandez, tha se marrëveshja e tanishme e BE-së për Brexit mbetet në tavolinë, pamarrë parasysh dorëheqjes së May.
Spanja
Për dallim nga të tjerët, Spanja e ka të vështirë ta besojë se një Brexit pa marrëveshje mund të shmanget, nëse May nuk është në pozitën e kryeministres.
“Një Brexit pa marrëveshje është tashmë një realitet të cilit është e pamundur të i shmangemi” tha Isabel Celaa, zëdhënësja e qeverisë spanjolle.
Komisioni Evropian
Dorëheqja e May nuk ndryshon asgjë sa i përket pozicionit të 27 vendeve të BE-së për marrëveshjen e Brexit, tha negociatori i Komisionit Evropian për Brexit, Michael Barnier.
“Ne do ta respektojmë kryeministrin e ardhshëm britanik, por asgjë nuk do të ndryshojë sa i përket pozicionit të Komisionit Evropian” tha ai.
Michael Barnier, shprehu respektin e tij të plotë për Theresa May dhe për vendosmërinë e saj si kryeministre e vendit.