Vdekja e Morsit, Egjipti përplaset me OKB-në

Vdekja e Morsit, Egjipti përplaset me OKB-në

Bota June 19, 2019 - 19:14
Detajet

Egjipti ka kritikuar Kombet e Bashkuara për “politizim” të vdekjes së presidentit të parë të këtij shteti të zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohamed Morsi.

Kombet e Bashkuara kanë kërkuar të hënën që të nisen hetime për vdekjen e Morsit, pasi ai ka vdekur papritur gjatë një seance në gjykatë këtë javë.

Ai ishte akuzuar për spiunim, teksa ka qenë duke u përballur me burgim, për akuza tjera të ndara.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Ahmed Hafez ka dënuar këtë supozim, duke thënë përmes një deklarate se vdekja e Morsit ka qenë natyrale.

Ai ka qenë në mbajtje prej largimit nga pushteti përmes një puçi ushtarak më 2013.

Familja e tij ka kohë që ka ngritur shqetësime për trajtimin e tij në burg dhe ka thënë se autoritetet kanë refuzuar kërkesën e tij, që të varroset në vendlindje.

Ish-lideri i Egjiptit është varrosur në lindje të kryeqytetit Kajro në mëngjesin e së martës, nën masa të rrepta të sigurisë.

Ish-partia e tij, tani e ndaluar, Vëllazëria Myslimane dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, një aleat i ngushtë i Morsit, janë vetëm disa prej personave dhe grupeve që kanë fajësuar udhëheqësinë e Egjiptit për vdekjen e tij.

Përveç tyre, edhe organizata ndërkombëtare, Amnesty International dhe Human Rights Watch, kanë bërë thirrje për hetime të pavarura.