Nuk i’a dha barin e korrur, 50 vjeçari vret mikun e tij

Nuk i’a dha barin e korrur, 50 vjeçari vret mikun e tij

Bota June 20, 2019 - 09:27
Lexo lajmet e fundit nga bota

Një 64-vjeçar është qëlluar për vdekje orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Mërqi, në Lezhë. Autor i kësaj ngjarje dyshohet se është 50-vjeçari Tonin Gjini, i cili është dhëndër i familjes së viktimës. Ai është arrestuar pak orë pas krimit të rëndë.

Burime nga uniformat blu bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:30 të mëngjesit, në një arë në fshatin Mërqi, ku viktima Gjin Marku ushtronte edhe detyrën si kryeplak. Nga hetimet e policisë thuhet se gjithçka ka ndodhur pas një konflikti ku autori i kishte kërkuar mikut të tij që t’i jepte barin që kishte korrur, por kjo nuk është pranuar nga viktima.

Në momentin kur ka parë 64-vjeçarin që po mblidhte barin dhe po e ngarkonte në kamionçinën e tij, autori ka marrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të mikut të tij duke e lënë të vdekur në vend. Pas vrasjes, autori është larguar në këmbë së bashku me armën e krimit, ndërsa forca të shumta policie u vunë në ndjekje të tij dhe pas rreth 6 orëve në arrati u bë e mundur edhe kapja e tij.

 

Në lidhje me ngjarjen policia ka shoqëruar 3 persona, të cilët momentin e ngjarjes po mblidhnin barin me viktimën. Ata kanë dhënë dëshminë e tyre para oficerëve të policisë, ku kanë shpjeguar edhe rrethanat e ngjarjes.

Ndërkohë i arrestuari do të përballet me akuzat e “vrasjes me paramendim” si dhe “mbajtja e armëve pa leje”.

“Policia e Lezhës menjëherë pas marrjes së njoftimit vijoi kontrollet e pandërprera për lokalizimin dhe kapjen e autorit ku falë edhe bashkëpunimit me familjarët e autorit të dyshuar, në këto momente është bërë arrestimi i shtetasit T. N., 50 vjeç, banues në Lezhë, si autor i dyshuar i vrasjes së 65-vjeçarit pas një konflikti për motive të dobëta.

Gjithashtu u sekuestrua arma tip “Kallashnikov”, me të cilën dyshohet se ka kryer krimin. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 78 dhe 278/1 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policinë.

Sipas informacioneve, mësohet se autori ka qëlluar me breshëri ndaj kryeplakut të fshatit dhe njëkohësisht mikut të tij, teksa ishte duke mbledhur barin në arë që ndodhej fare pranë banesës së tij. Nga të shtënat 64-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme.