Dënohet me shtatë burgime të përjetshme vrasësi serik i Qipros

Dënohet me shtatë burgime të përjetshme vrasësi serik i Qipros

Bota June 24, 2019 - 16:08
Detajet

Një kapiten ushtarak nga pjesa greke e Qipros është ndëshkuar me shtatë dënime me burgim të përjetshëm pasi u deklarua fajtor për vrasjen e pesë grave dhe dy fëmijëve brenda një periudhe trevjeçare. Ai i kishte mashtruar viktimat e tij përmes internetit.

Ky rast, në të cilin përfshihet dhuna më e tmerrshme ndaj grave në kohën e paqes në Qipro, ka shkaktuar reagime të shumta dhe tmerr në ishullin ku krimet serioze janë relativisht të rralla. Për shkak të këtij rasti, dorëheqje ka dhënë ministri i drejtësisë dhe është shkarkuar komandanti i policisë.

Nikos Metaxas, 35-vjeçar, e pranoi fajin për 12 akuza lidhur me vrasje të paramenduar dhe rrëmbim të shtatë personave nga shtatori i vitit 2016 deri në korrik të vitit 2018. Viktimat ishin nga Filipinet, Rumania dhe Nepali. Në mesin e viktimave ishin edhe dy fëmijë të moshës 6 dhe 8-vjeçare. Këta dy fëmijë të gjinisë femërore ishin vajza të dy prej grave të vrara.

Vendimi i shpallur të hënën nga gjykata është ndëshkimi më i rëndë që është dhënë ndonjëherë nga sistemi i drejtësisë në Qipro.

Metaxas u pa duke qarë në kohën kur po lexohej aktakuza kundër tij. “Unë kam kryer krime të tmerrshme”, tha ai, duke iu shprehur ngushëllime familjeve të viktimave të tij.

Policia njoftoi se personi i akuzuar, i cili është baba i divorcuar i dy fëmijëve, i ka takuar gratë përmes internetit. Viktimat ishin kryesisht të punësuara si shtëpiake në këtë ishull dhe ishin zhdukur nga shtatori i vitit 2016 deri në korrik të vitit 2018, shkruan “The Guardian”.