BE ndëshkon Turqinë

BE ndëshkon Turqinë

Bota July 16, 2019 - 19:13
Lexoni detajet

Paralajmërimi i Aleksis Tsipras u përmbush: Bashkimi Europian u rreshtua në krah të Qipros në grindjen territoriale për gazin.

   

Brukseli vendosi mbi Ankaranë sanksione si dhe pezullimin e kontakteve mes zyrtarëve të nivelit të lartë. Atyre që i përshkruan si shpime turke për gaz në ujërat kombëtare qipriote, ministrat e jashtëm të BE iu përgjigjën me pezullimin e ndihmës 164 milion dollarëshe për Turqinë dhe tërheqjen nga bisedimet e marrëveshjes mbi hapësirën ajrore.

Blloku i ka kërkuar madje edhe Bankës Europiane të Investimeve të rishikojë huadhënien për këtë vend, e cila në 2018-tën mbërriti në gati 434 million.

Turqisë iu bë thirrje sërish që të frenojë aktivitetet e kërkimit për gaz në brigjet qipriote e të veprojë në frymën e fqinjësisë së mirë, duke respektuar sovranitetin e ishullit, në përputhje me te drejtën ndërkombëtare.

Sanksionet e BE-së vijnë në kohën kur Turqia përballet edhe me rrezikun e masave të ngjashme nga ana e Shteteve të Bashkuara, të zemëruara nga blerja e sistemeve antiraketore ruse prej Ankarasë. Megjithatë, ministri i jashtëm turk Mevlut Cavusoglu u përpoq ta minimizonte lëvizjen e Brukselit, duke thënë se ajo kërkon vetëm të qetësojë Qipron, dhe nuk ka sipas tij, ndonjë rëndësi të madhe.

‘BE-ja ka nevojë për ne lidhur me çështjet e emigracionit e të tjera. Janë detyruar ta marrin këtë vendim të pavlerë nën presionin e greko-qipriotëve e të Athinës’, tha ai.

Turqia dërgoi përpara dy muajsh anijen e parë eksploruese prane brigjeve qipriote, një lëvizje kjo e konsideruar e paligjshme nga BE-ja, por jo nga Ankaraja qe i sheh si legjitime shpimet në ujrat territorial të qipros veriore, ndërsa ndezi sërish tensionet disa ditë më parë kur dërgoi një anije të dytë në zonë. /TCH