Boris Johnsoni nuk parashikon kompromise me BE-në

Boris Johnsoni nuk parashikon kompromise me BE-në

Bota gusht 13, 2019 - 10:30
Lexo Detajet

Kryeministri britanik Boris Johnson kërkon që britanikët të dalin me çdo kusht nga BE-ja, le të kushtojë sa të dojë. Motoja e tij “Luftë ose fundosje” nuk parashikon kompromise me Bashkimin Evropian.

"Më gjeni gjithë verën". Kështu shkroi Michel Barnier, kryenegociuesi i BE-së për Brexitin, në një e-mail për qeveritë e BE-së, madje në ditën që filloi detyrën kryeministri i ri britanik Boris Johnson. Barnier i bëri një ofertë për bisedime qeverisë së re në Londër. Por deri më tani kryenegociatori nuk ka takuar askënd nga shtabi i ri në “Downing Street” Nr. 10. Negociatat e reja për marrëveshjen 600-faqëshe, të mbyllur ndërkohë për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja, Michel Barnier i ka përjashtuar që nga fillimi. "Tani duhet të jemi të qetë dhe solidarë", ka thënë Barnier. Kërkesat bombastike nga Boris Johnsoni si heqja e "Back Stop"-it irlandez, diplomati francez i hodhi poshtë si të papranueshme.

Me "Back-Stop" kërkohet të pengohet që mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës Veriore të ngrihet sërish kufiri i BE-së me kontrolle doganore, kjo për sa kohë derisa palët të kenë gjetur një zgjidhje më të mirë, përcjell gazeta "Zëri".

Mesazhi i thjeshtë: Jashtë!

Vizitori i vetëm nga Londra, i cili ka shkuar në Bruksel që nga ndërrimi i qeverisë, është funksionari britanik David Frost. Ai është i ngarkuari i posaçëm i kryeministrit për Brexitin. Komisionit Evropian dhe diplomatëve të BE-së ua shpjegoi se Britania e Madhe do të largohet pa mëdyshje nga BE-ja më 31 tetor edhe pa një marrëveshje. Si kusht për bisedime të reja me BE-në, Frost përmendi heqjen e “‘Back-Stop’-it jodemokratik”. Këtë kërkesë e kanë hedhur poshtë si BE-ja, ashtu edhe kryeministri irlandez Leo Varadkar. Diplomatët nga BE-ja thanë se Davis Frost nuk ka sjellë asnjë alternativë për heqjen e “Back-Stop”-it. As tema të tjera, për të cilat Johnsoni do t’i negocionte në rast të një rundi të ri, nuk janë përmendur. Para ngjitjes në postin e kryeministrit Johnsoni ka thënë se ai do të donte t'i ruante pjesët e mira të marrëveshjes dhe ta ndryshonte pjesën tjetër. "Ne mund të fluturojmë në Hënë, pra mund t'ia dalim të organizojmë edhe këtë kufirin me Irlandën", tha ai.

Brexiti, i ashpër me shumë gjasa

Sipas pikëpamjes së Brukselit, Boris Johnsoni po merr drejtimin e një Brexiti pa marrëveshje, pa afate kalimtare, pa paguar llogaritë e hapura me BE-në, pa një përfytyrim për marrëdhëniet e ardhshme me BE-në. Vërtet që kryeministri i ri britanik deklaron se Brexiti i ashpër nuk është objektiv i tij, por nëse më 31 tetor nuk ka zgjidhje tjetër, atëherë Britania e Madhe largohet edhe pa marrëveshje.

Ministrat në kabinetin britanik vazhdojnë ndërkohë me fajësimet. Michel Gove, ministër për përgatitjen e Brexitit, është shprehur për BBC-në se "kemi nevojë për një rund të ri. Ne jemi gati të përballemi me BE-në. Por momentalisht duket se BE-ja nuk ka interes për këtë. Ata thonë thjesht jo. Kjo është e gabuar, e trishtuar dhe jo në interesin evropian." Michel Barnier nga ana e tij këmbëngul se as BE-ja nuk e dëshiron një Brexit pa marrëveshje. Marrëveshja me BE-në nga ana tjetër është rrëzuar tri herë nga parlamenti britanik.

Votë mosbesimi në Dhomën e Ulët

Për shkak se qeveria e Boris Johnsonit po ecën drejt Brexitit pa marrëveshje, me gjithë paralajmërimet e shoqatave ekonomike dhe të Bankës së Anglisë, kundërshtarët duan ta përdorin parlamentin e përçarë për ta ndalur Johnsonin. Koalicioni i konservatorëve dhe partisë irlandezo-veriore, DUP, ka aty vetëm një mazhorancë të vogël me një votë. Në javën e parë të shtatorit opozita laburiste mund të provojë një mocion mosbesimi kundër kryeministrit. Në rast se Johnsoni nuk e kalon mocionin, atëherë qeveria ka 14 ditë kohë për ta siguruar mazhorancën. Kur nuk arrihet të krijohet një mazorancë e re, kryeministri duhet të japë një datë për zgjedhje të reja brenda 25 ditësh, transmeton "Zëri".

Por mbetet e diskutueshme nëse Boris Johnsoni mund të detyrohet të japë dorëheqjen në këtë kohë. Ligji Zgjedhor i vitit 2011 nuk është i formuluar qartë për këtë dhe nuk është praktikuar asnjëherë. Kryeministri mund t'i zhvendoste zgjedhjet edhe në nëntor. Brexiti më 31 tetor do të ishte bërë atëherë realitet. Të vetmin vendim që Dhoma e Ulët arriti të marrë në pranverë ishte ai i mosdaljes nga BE-ja pa marrëveshje. Nga ana tjetër në fuqi është ligji që parashikon Brexitin automatikisht më 31 tetor, me ose pa marrëveshje. Parlamenti do të kishte mundësinë të ndryshonte këtë rregullore, por vetëm nëse e detyron qeverinë të vendosë në rend të ditës këtë ligj.

Peter Sloman, politolog nga Universiteti i Cambridgeit, thotë se parlamenti mund të udhëzojë kryeministrin të kërkojë zgjatje të afatit. "Por nëse Boris Johnsoni do t'i qëndronte kësaj, është me pikëpyetje".

Kështu Boris Johnsoni është në një pozicion komod. Nëse nuk ndërmerr asgjë, Brexiti vjen edhe pa marrëveshje. Teorikisht kryeministrin mund ta shkarkojë edhe mbretëresha, por kjo do të thyente traditën që monarkia nuk përzihet në politikën e përditshme, e prandaj konsiderohet e pamundur. Edhe spekulimi se BE-ja mund të ndryshojë qëndrim në momentin e fundit nuk është shumë i qëndrueshëm. "Për këtë lojë jemi përgatitur", thonë diplomatët francezë në Paris. "Ne nuk do t'i humbasim nervat të parët". /DW