SHBA i kërkon OKB-së të vazhdojë ndalesat për armë dhe udhëtim ndaj Iranit

SHBA i kërkon OKB-së të vazhdojë ndalesat për armë dhe udhëtim ndaj Iranit

Bota August 21, 2019 - 09:33
Lexoni detajet

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Kombeve të Bashkuara që të vazhdojnë ndalesën për armë ndaj Teheranit, që pritet të përfundojë vitin e ardhshëm, në kuadër të marrëveshjes bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i ka thënë Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se po kalon koha e skadimit të rezolutës që ndalon shitjen e armëve në Iran.

Kjo rezolutë ishte miratuar në kuadër të marrëveshjes bërthamore që Teherani pati nënshkruar me Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën, Francën, Gjermaninë dhe Britaninë më 2015.

Sipas marrëveshjes, Teherani është liruar nga sanksionet ndërkombëtare, në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor.

Presidenti amerikan, Donald Trump është tërhequr nga kjo marrëveshje një vit më parë, dhe ka rikthyer të gjitha sanksionet ndaj Teheranit.

Në rast se rezoluta nuk vazhdohet vitin e ardhshëm, kufizimet për udhëtim do të përfundojnë për komandatin ushtarak, Qasem Soleimani, dhe 23 iranianë tjerë.

“Ne besojmë se Këshilli i Sigurimit ka një rol të madh për të siguruar se ndalesa për shitje të armëve dhe kufizimet në udhëtim do të vazhdohen”, ka thënë përfaqësuesi amerikan për Iranin, Brian Hook, para komenteve të Sekretarit Pompeo.

Administrata e Trumpit është duke ushtruar “presion maksimal” ndaj Iranit, me qëllim të kufizimit të aktiviteteve ushtarake dhe programit bërthamor të këtij shteti.

Irani në anën tjetër është përgjigjur duke hequr dorë nga disa pika të marrëveshjes bërthamore.

Situata ka rrezik që të përshkallëzohet pasi anijet janë sulmuar, dronët janë rrëzuar dhe transportueset e naftës janë konfiskuar brenda një kohë të shkurtër si pasojë e vendimeve të këtyre vendeve.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara janë duke tentuar të organizojnë një koalicion ndërkombëtar, që do të mbikëqyrë transportet e naftës në Gjirin Persik. /Rel