Biznesmeni turk “braktis” në Shëngjin jahtin me vlerë 2 milionë euro

Biznesmeni turk “braktis” në Shëngjin jahtin me vlerë 2 milionë euro

Bota shtator 10, 2019 - 19:33
Detajet

Një jaht luksoz me vlerë 2 milionë euro është gjetur i braktisur rreth 12 milje larg bregut në Shëngjin. Mjeti lundrues me flamur turk, me motorë të ndezur, është pikasur nga disa peshkatarë, të cilët pasi nuk kanë parë asnjë lëvizje, kanë bërë njoftimin e Rojës Bregdetare.

Këta të fundit mbërritën menjëherë në vendin ku ndodhej jahti, duke e rimorkiuar dhe ankoruar në Portin e Shëngjinit. Brenda jahtit 13 metra të gjatë është gjetur dokumentacioni i rregullt dhe një pasaportë, që i përket turkut Sevgin Yavuz, 31 vjeç.

Ai është një biznesmen i famshëm turk, që ka ardhur për pushime në Adriatik. Mbetet mister fakti se si jahti ka përfunduar 12 milje larg bregut në Shëngjin, ndërsa më parë mësohet se është nisur nga Porti i Tivarit në Malin e Zi.

Ende nuk është gjetur asnjë gjurmë nga pronari apo personat e tjerë që mund të ishin me të në bord. Brenda bordit të jahtit nuk evidentohet asgjë e pazakonshme, ndërkohë që Policia e Shtetit po bashkëpunon me Malin e Zi dhe Turqinë për të mësuar më shumë mbi atë çfarë mund të ketë ndodhur.

Policia ka nisur menjëherë verifikimet për të zbuluar misterin se përse është braktisur jahti dhe ku ndodhet pronari. Dyshimet janë se shtetasi turk mund të jetë hedhur në det për të notuar dhe nuk ka mundur të dalë, por nuk përjashtohet mundësia edhe për ndonjë ngjarje kriminale.