Vajza e tij pothuajse vdiq, babai i zemëruar ballafaqohet në spital me kryeministrin britanik

Vajza e tij pothuajse vdiq, babai i zemëruar ballafaqohet në spital me kryeministrin britanik

Bota September 18, 2019 - 14:22
Detajet

Prindi i një fëmije të sëmurë është parë duke u ballafaquar me kryeministrin britanik, Boris Johnson, gjatë një vizite të këtij të fundit në një spital.

Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, arsyeja pse burri ka patur një reagim të tillë ka qenë sepse siç pretendon ai Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë së Madhe është duke u “shkatërruar” dhe se sipas tij, vajza e tij “gati vdiq”.

Siç thuhet tutje, kryeministri u përball nga prindi i zemëruar, i cili pretendoi se nuk kishte mjekë dhe infermierë të mjaftueshëm dhe tha se vajza e tij ‘gati vdiq’.

Në një bisedë që zgjati rreth dy minuta, burri tha se situata ishte “e papranueshme”.

Ndryshe, bëhet e ditur se Johnson ishte duke vizituar Spitalin Universitar Whipps Cross në veri-lindje të Londrës, kur ai u përball me prindin, në repartin e fëmijëve.

Prindi i tha Kryeministrit: “Nuk ka njerëz të mjaftueshëm në këtë repart, nuk ka mjekë të mjaftueshëm, nuk ka infermiere të mjaftueshme, nuk është aq mirë i organizuar. Shëndetësia është shkatërruar … dhe tani ju vijnë këtu për të dalë para kamerave”.

Siç shkruajnë tutje mediat, kryeministri i është përgjigjur se nuk ka ardhur për një gjë të tillë, por se prindi bëri gjeste kah kamerat që po filmonin konfrontimin.

Ai tha: “Si mund të thoni që nuk po e bëni për të dalë para kamerave, çfarë janë këta njerëz?”.

Johnson shpjegoi se ai ishte “këtu për të mësuar” rreth situatës por burri i përgjigjet: “A nuk është pak vonë? Vite dhe vite e vite të shkatërrimit të Shëndetësisë”.

Ndërkohë një zëdhënës i kryeministrit ka thënë se Johnson po vizitonte shërbimet publike për të parë realitetin e situatës.

Zëdhënësi tha që burri ishte kuptueshëm ‘shumë i dëshpëruar’.

Ai tha se kryeministri nuk do të fshihej nga ato rrethana kur të vazhdojë këto vizita, dhe padyshim që është i prirur të flasë me njerëzit dhe të solidarizohet me ta dhe të shohë se çfarë mund të bëjë për të ndihmuar.