Ushtria turke fillon operacionin ushtarak në veri të Sirisë

Ushtria turke fillon operacionin ushtarak në veri të Sirisë

Bota tetor 09, 2019 - 15:57

Presidenti Erdogan ka njoftuar për nisjen e operacionit "Burimi i Paqes" kundër organizatave terroriste PKK/YPG dhe DEASH në veri të Sirisë, duke urdhëruar sulmet ajrore, transmeton Zeri.info.

“Me operacionin ‘Burimi i Paqes’ do ta mënjanojmë kërcënimin terrorist ndaj vendit tonë. Në saje të zonës së sigurt që do ta formojmë me operacionin ‘Burimi i Paqes’, do të mundësojmë kthimin e refugjatëve sirianë në vendin e tyre. Me këtë operacion do ta ruajmë integritetin territorial të Sirisë, do ta shpëtojmë popullatën e rajonit nga kthetrat e terrorit”, ka thënë presidenti turk.

Image

Kurdët kanë bërë të ditur se avionët ushtarak turk tashmë kanë filluar me bombardimet nga ajri. Trupat turke kanë filluar me hyrjen në Siri çka mund t’i sjell në konflikt direkt me kurdët. “Shënjestër të këtyre sulmeve nuk janë vetëm luftëtarët kurdë, por Turqia beson se ata janë në lidhje me Partinë e Punës së Kurdistanit. Po ashtu, shënjestër janë edhe terroristët e Shtetit Islamik”, ka thënë Erdogan./ZERI