Shpërthen dhuna në protestat e Barcelonës

Shpërthen dhuna në protestat e Barcelonës

Bota October 19, 2019 - 08:39
Detajet

Katalonja e ka përjetuar natën e pestë me radhë të kryengritjeve të premten pasi në Barcelonë shpërtheu dhuna mes protestuesve dhe policëve. Kjo ndodhi pas një proteste paqësore që u mbajt gjatë ditës, në të cilën morën pjesë më shumë se 500 mijë njerëz. Ata e kundërshtuan dënimin e politikanëve katalonas që e shpallën pavarësinë e rajonit para dy vjetësh.

Të premten kishte përleshje në Via Laietana, afër stacionit qendror të policisë spanjolle. Tymi i zi u ngrit në qiellin e qytetit pasi protestuesit ua vunë flakën shportave të mbeturinave dhe një kioske të gazetave. Mijëra njerëz u dëgjuan duke brohoritur: “Rrugët gjithmonë do të jenë tonat”.

Katër orë pas fillimit të përleshjeve të vogla, rruga “Via Laietana” ishte një fushëbetejë e mbushur me rrënoja. Policia e pati të vështirë ta kontrollojë situatën, ndonëse përdori plumba gome, gaz lotsjellës dhe një kamion me ujë.

Protestuesit më pas u shpërndanë në rrugë të tjera dhe vendosën barrikada. Së paku 35 persona u trajtuan në spital për shkak të lëndimeve, ndërsa policia i arrestoi dhjetë protestues. Policia spanjolle tha se një grup prej 400 protestuesish po i sulmon forcat e sigurisë dhe paralajmëroi se të gjithë personat që marrin pjesë në veprime të tilla do të përballen me gjashtë vjet burgim.

Autoritetet gjithashtu njoftuan natën e së premtes se 207 policë janë lënduar, 107 automjete të policisë janë dëmtuar dhe rreth 800 shporta të mbeturinave janë djegur. Sipas policisë lokale të Barcelonës, në protestën paqësore morën pjesë rreth 525 mijë njerëz, shkruan “The Guardian”.

Image