Momenti kur policia e Hong Kongut e qëllon me armë një protestues

Momenti kur policia e Hong Kongut e qëllon me armë një protestues

Bota November 11, 2019 - 09:25
Detajet

Një polic e ka qëlluar me armë zjarri një protestues nga një distancë e vogël gjatë protestave të dhunshme në Hong Kong.

Në pamjet e publikuara në Facebook shihet se si një polic e nxjerr armën dhe e qëllon një protestues që po përpiqej ta largonte nga duart e policit një person tjetër.

Përleshja vazhdoi edhe pas të shtënës së parë, ndërsa polici e shkrepi armën edhe dy herë të tjera, por zyrtarët policorë thanë se në këtë incident është lënduar vetëm një person.

Të dielën pati edhe përleshje të tjera, ku policia përdori plumba gome dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit nëpër pjesë të ndryshme të qytetit me autonomi të kufizuar.

Një zëdhënës i një spitali njoftoi se personi i plagosur nga policia është në gjendje kritike dhe i është nënshtruar një operacioni.

Kjo ishte hera e tretë që një polic e qëllon dikë me armë gjatë protestave të gjata, që filluan në qershor të këtij viti. Policia mohoi se i ka urdhëruar zyrtarët që t’i përdorin armët pa menduar dy herë.

Incidenti i parë me armë kundër protestuesve kishte ndodhur më 1 tetor, kur Kina po e festonte përvjetorin e pushtetit komunist, ndërsa incidenti i dytë kishte ndodhur tri ditë më vonë, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.