Kroaci, alarm i kuq për motin e keq

Kroaci, alarm i kuq për motin e keq

Bota nëntor 16, 2019 - 18:40
Detajet

Në disa rajone të Kroacisë është aktivizuar alarmi i kuq për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

Si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme alarmi është aktivizuar për rajonet e Rijekës dhe Gospiçit.

“Merrni masa për t’u mbrojtur. Veproni sipas këshillave të dhëna nga shërbimet kompetente. Priten përmbytje të theksuara që do të godasin zonën më të madhe, duke përmbytur pronat me rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe duke lejuar mundësinë e evakuimeve. Janë të mundshme ndërprerje të trafikut dhe energjisë elektrike, komunikimit dhe furnizimit me ujë”, paralajmëroi Instituti Shtetëror Hidrometeorologjik i Kroacisë.

“Shi i fortë, nga 40 deri në 80 milimetra, pritet në Adriatikun Verior, Dalmaci, Likë, Gorski Kotar dhe në disa vende me stuhi më të theksuar, erë të përkohshme dhe shi të fortë, në një periudhë të shkurtër kohore, prandaj përmbytje të mëdha janë të mundshme”, paralajmëroi Mbrojtja Civile pranë Ministrisë së Brendshme të Kroacisë.

Sipas paralajmërimeve, reshjet më të mëdha të shiut nga 30 deri 50 milimetra priten në mëngjes dhe pasdite në Kroacinë qendrore.

Ndërkaq, alarmi i kuq për shkak të erërave të forta është aktivizuar në Kvarner, Dalmacinë Veriore, Qendrore dhe Jugore.

“Moti i keq sjell nivel të lartë rreziqesh shëndetësore dhe situata të rrezikshme për jetën, veçanërisht për detarët. Ekziston gjithashtu një rrezik i konsiderueshëm i dëmtimit të infrastrukturës bregdetare. Jini të vetëdijshëm për rrezikun dhe kushtojini vëmendje, gjithashtu ndiqni lajmet më të fundit të motit. Ne këshillojmë shmangien e udhëtimeve dhe qëndrimin pranë zonave bregdetare të rrezikuara”, thuhet në paralajmërim.