Komisionit të Nobelit për Letërsi i largohen dy anëtarë, njëri shkaku i Handke-s

Komisionit të Nobelit për Letërsi i largohen dy anëtarë, njëri shkaku i Handke-s

Bota dhjetor 02, 2019 - 15:55
Lexoni detajet

Dy anëtarë të jashtëm të Komisionit të Nobelit për Letërsi kanë hequr dorë nga ky komision të hënën, duke e kritikuar Akademinë Suedeze të goditur nga skandalet.

Akademia 233-vjeçare u detyrua të miratojë rregulla të reja pas një skandali ku qe përfshirë bashkëshorti i një ish-anëtareje, i cili ndikoi që dhënia e Çmimit Nobel për Letërsi për vitin e kaluar të shtyhej.

Anëtarët e jashtëm ishin shtuar për të asistuar në përzgjedhjen e kandidatëve për Çmimin Nobel për Letërsi, të cilët më pas do të votoheshin nga Akademia Suedeze.

Shkrimtari Kristoffer Leandoer tha se po tërhiqet nga ky komision, sepse nuk ka kohë as durim që ta presë atë për t’i përfunduar reformat.

“Akademia dhe unë kemi pikëpamje të ndryshme për kohën. Një vit është kohë shumë e gjatë në jetën time dhe kohë shumë e shkurtër për Akademinë”, tha ai përmes një shkrimi të botuar në gazetën suedeze “Svenska Dagbladet”.

Ky shkrimtar tha se vendimi për t’u larguar nga komisioni nuk lidhet me ndarjen e Çmimit Nobel për Letërsi për shkrimtarin kundërthënës, Peter Handke, për të cilin Akademia Suedeze ka marrë kritika brenda dhe jashtë Suedisë.

Sidoqoftë, anëtarja tjetër e tërhequr, Gun-Britt Sundstrom, tha përmes një deklarate se zgjedhja e Handge-s është interpretuar sikur letërsia të qëndronte mbi politikën dhe se ajo nuk pajtohet me këtë pikëpamje, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.